Transmetuar më 22-01-2022, 14:44

Marsi do të jetë muaj zgjedhjesh në Shqipëri. Konkretisht, më 2 mars, futbolli ynë do të mblidhet për të zgjedhur drejtuesit e rinj për 4 vitet  ardhshme. Më pas, më 6 mars, do të kemi zgjedhje të tjera, të pjesëshme lokale për 6 bashkitë ku për probleme të ndryshme me ligjin e dekriminalizimit janë larguar kryebashkiakët përkatës.

Megjithatë, kjo është pjesë e politikës. Duhet pranuar se edhe fushata zgjedhore për keun e FSHF-së, që mbahet nga Armand Duka prej më shumë se 20 vitesh, pritet të jetë e nxehtë. Që tani kanë filluar akuzat dhe kundërakuzat publike, se administrata aktuale e futbollit tonë po manipulon me shoqatat kombëtare, ndërsa këto të fundit kanë akuzuar kryebashkiakun Erion Veliaj për presione, që të votojnë atë që do ai.

Për këtë, shoqata rajonale e Tiranës i ka dërguar një letër-ankesë edhe FIFA-s, ku kërkon t’i tregojë cakun politikës në futboll. Sipas të gjitha gjasave, Armand Duka do të garojë për një mandat tjetër, tashmë edhe me petkun e anëtarit të Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s.

Ndërsa rivali i shfaqur publikisht i tij pritet të jetë Dritan Shokohoxha, komentatori i njohur i futbollit. Mbetet të shihet nëse do të ketë kandidaturë tjetër për presidencën e FSHF-së, ndërsa luftë e ashpër do të ketë edhe për Komitetin Ekzekutiv të ri.

Në të shkuarën, në të gjitha asambletë zgjedhore kanë triumfuar më së shumti të preferuarit e Dukës, i cili ka synuar të jetë “trimi i mirë me shokë shumë” në krye të futbollit shqiptar. Pra, të mos ketë kundërshti në organin ekzekutiv të futbollit shqiptar.

Ja njoftimi i FSHF-së: "Bëjmë me dije se Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së në mbledhjen e datës 21.01.2022, në bazë të kompetencave që i jep Statuti i FSHF-së, vendosi të thërrasë Asamblenë e Përgjithshme të Zakonshme Zgjedhore, që do të zhvillojë punimet më 02.03.2022, ora 10:00 në selinë e FSHF, te “Shtëpia e Futbollit” në Tiranë. Në këtë mbledhje, anëtarët e Komitetit Ekzekutiv të FSHF përcaktuan dhe miratuan edhe rendin e ditës së punimeve të Asamblesë".