Transmetuar më 21-01-2022, 20:22

Grupet ekstremiste pro serbe i kanë bërë pritë Dritan Abazoviç në Podgoricë. Dhjetëra prej tyre rrethuan kryetarin e URA duke e quajtur tradhtar dhe kërkuan largimin e tij. Ekstremistët janë totalisht kundër nismës së Abazovic dhe disa deputetëve të tjerë për krijimin e qeverisë së pakicave.

Abazoviç më herët ka shpalosur idenë për formimin e një qeverie të pakicës, që ka thënë se është një model për tejkalimin e krizës politike në Malin e Zi.

Por, ministrat e Financave dhe Zhvillimit Ekonomik, Milojko Spajiq dhe Jakov Millatoviç kërkuan që Abazoviç të japë dorëheqje nga posti i zëvendëskryeministrit.

Ndërsa dy ditë më parë, kryeministri i Malit të Zi, Zdravko Krivokapiç bëri zyrtare iniciativën e tij për largimin e zv.kryeministrit Dritan Abazovic nga qeveria.

“Moskorrektësia e tij që cenon qeverinë në të cilën ai është anëtar, cenimi i parimeve ligjore dhe parimeve kushtetuese mbi të cilat bazohet funksionimi i qeverisë, janë arsye të pafalshme pse i propozoj Kuvendit shkarkimin” – shkroi kryeministri malazez në Twitter duke bërë të ditur se iniciativën e ka dorëzuar në Kuvend.