Transmetuar më 21-01-2022, 12:08

Teknologjia e përdorur në raketën më të madhe të Kinës do të përdoret edhe për të rritur sigurinë e skiatorëve. Shkencëtarët kinezë kanë zhvilluar një kaskë skish ultra të fortë me teknologji hapësinore të përdorur fillimisht në raketën Long March-5, transportuesi për sondën Martian Tianëen-1, përcjell “Xinhua”.

Helmeta, e projektuar nga një ekip nga Universiteti i Teknologjisë Dalian në provincën verilindore të Liaoning, u testua te skiatorët kinezë të stilit të lirë gjatë stërvitjes së tyre për Lojërat Olimpike Dimërore.

Helmetat janë krijuar për të mbrojtur skiatorët nga ndikimi i shkaktuar nga një rënie ose një përplasje. Ato duhet të jenë të lehta dhe shumë rezistente ndaj goditjeve.

U zbulua se efikasiteti i lartë i ngarkesës i arritur në hapësirë është gjithashtu shumë i dobishëm për aftësinë e impaktit të helmetës për sportistët.

Për të optimizuar modelin e helmetave të skive, shkencëtarët përdorën modelin strukturor të paneleve të raketës Long March-5, duke përforcuar materialin e helmetës me elemente të bazuara në algoritmet e aplikuara në sipërfaqen e lakuar të saj.

Studiuesit përdorën gjithashtu një material të ri të përbërë nga fibra karboni, tekstil me fije qelqi dhe elastomer në shtresën e jashtme të kaskës, duke e bërë kështu pajisjen mbrojtëse më të lehtë dhe më rezistente.

Studiuesi kryesor Hao Peng tha se performanca mbrojtëse tejkalon standardin evropian të testimit të helmetave të skive me më shumë se 20%.

Ekipi hulumtues po aplikon për një patentë dhe po përpiqet të krijojë bashkëpunim me kompani me synimin për ta nxjerrë në treg helmetën.