Transmetuar më 20-01-2022, 13:47
Shkelzen Buci, Eglantina Buci

Prokuroria e Tiranës ka kërkuar 50 vite burg për Faik dhe Shkëlzen Bucin të akuzuar për vrasjen e Eglantina Bucit 10 vite më parë.

Prokuroria ka kërkuar dënimin me 25 vite për babanë e Eglantinës, Faikun dhe 25 të tjera për të vëllanë Shkëlzenin, të dyshuar për veprën penale vrasje me paramendim, e kryer në bashkëpunim.

Eglantina Buci dyshohet se u ekzekutua nga vëllai i saj 10 vite më parë në malin me Gropa në Tiranë. Familja nuk e pranonte faktin që vajza ishte larguar nga shtëpia dhe bashkëjetonte në zonën e Freskut në Tiranë.

Përballë kësaj situate, babai Faik Buci dyshohet se thuri planin për vrasjen e Eglantinës, ndërsa djali Shkëlzen Buci e ekzekutoi motrën e tij. Krimi makabër u zbulua nga një bashkëpunëtor i drejtësisë, shok i Shkëlzen Bucit, që kishte qenë i pranishëm në momentin kur vëllai vrau motrën.

Bashkëpunëtori i drejtësisë ka rrëfyer përpara grupit të hetimit të gjithë situatën me detaje se si ka nisur situata kur 23-vjeçarja Englantina Buci u mor me dhunë nga i vëllai dhe më pas u vra. I penduari i ka thënë grupit të hetimit që shikonte makthe dhe se nuk mund ta mbante më këtë barrë mbi supe pasi kishte edhe familje.

Ai u arrestua në korrik të vitit 2017 me akuzën e bashkëpunëtorit, pasi Shkëlzen Buci i kishte kërkuar që të ruante duke monitoruar lëvizjet e Eglantinës. Por në momentin e arrestimit ai kishte një kërkesë për drejtësinë, duke bashkëpunuar me ta.

6 muaj më pas në janar të vitit 2018, ai tregoi vrasjen e Eglantina Bucit nga vëllai në bashkëpunim me të atin në vitin 2012 në Malin me Gropa.Për zbardhjen e kësaj ngjarje, ai mori statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë.