Transmetuar më 20-01-2022, 13:50

Është ndër emrat që emocionojnë fansat, një nga lojtarët më të mirë kuqezinj, për shkak të rëndësisë aktuale dhe perspektivës. Një yll i konfirmuar përgjatë menaxhmentit të klubit nga Elliott.

Theo Hernandez është kandidat për një rol kryesor në superndeshjen ndaj Juventusit, të dielën në mbrëmje. Francezi flet me “The Athletic”, duke konfirmuar se ka avancuar mirë në rinovimin e kontratës:

“Jam mjaft i lumtur te Milani, po diskutojmë rinovimin dhe gjërat po ecin shumë mirë”. Theo është i dashuruar me Milanin, ashtu siç është i dashuruar me Maldinin në futboll: “Si fëmijë e shikoja duke luajtur. Unë kam një marrëdhënie shumë të ngushtë me të.

Qysh nga hera e parë që u takuam në Ibiza, ai m’i bëri të qarta gjërat menjëherë. Më tha se isha një lojtar shumë i fortë, por do të duhej të punoja shumë çdo ditë. Falë kësaj, sot jam lojtari që jam. Unë vazhdoj të flas me Paolo çdo ditë”.

Në Milano ka edhe një tjetër figurë kyçe, Theo e konfirmon: “Kam pasur shumë trajnerë të mirë, por ai që më ka ndryshuar jetën si burrë dhe si futbollist është Pioli. Që në momentin e parë që mbërrita, më dha besimin që më duhej për të nxjerrë në pah të gjithë potencialin tim.

Falë kësaj po luaj në këtë mënyrë tani. Leao? Ne të dy e kuptojmë shumë mirë njëri-tjetrin. Ai luan ndryshe nga të tjerët dhe më krijon hapësira”.