Transmetuar më 20-01-2022, 12:53

Ne duhet të përgatitemi për një pandemi të re, sipas Bill Gates. “Në listën time personale të synimeve dua të shtoj atë të përgatitjes së botës për pandeminë e ardhshme, – tha sipërmarrësi i njohur amerikan.

– Në dy vitet e fundit kemi pasur përparime të rëndësishme shkencore, kemi bërë vaksina të sigurta më shpejt se në të kaluarën, por kemi parë gjithashtu se pabarazia në shpërndarjen e mjeteve shëndetësore, mungesa e fondeve kanë lënë shumë njerëz prapa, duke u përballur me rreziqe për shëndetin e tyre”.

Më tej, multi-miliarderi i njohur shtoi: "Ne kemi nevojë për një shoqëri më të drejtë, për të përshpejtuar furnizimin global me vaksina në të ardhmen, për të prodhuar më shumë doza dhe për t’i shpërndarë ato në mënyrë më të barabartë.

Ne gjithashtu kemi nevojë për më shumë mjete për t’i kontrolluar shpejt shpërthimet pandemike në momentin kur ndodhin, falë testeve të shpejta, të disponueshme lehtësisht dhe sistemeve më të mira logjistike”.

Pra, themeluesi i “Microsoft” paralajmëroi për pandemi të mundshme më të këqija se Covid-19. Ai ftoi qeveritë të kontribuojnë me miliarda dollarë për t’u përgatitur për një epidemi të ardhshme.

Apeli i fundit i Bill Gates erdhi gjatë prezantimit të donacionit të mëtejshëm prej 300 milionë dollarë për Koalicionin e Inovacionit dhe Përgatitjes Epidemike (Cepi), i cili ndihmoi në formimin e programit “Covax” për ofrimin e vaksinave kundër Covid në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme.