Transmetuar më 20-01-2022, 12:30

Kur kanë kaluar disa ditë nga atentati i dështuar ndaj tij, në zonën e Liqenit, administratori i një shkolle private në Tiranë, Lulzim Masha, ka kërkuar mbrojtje nga shteti.

Ai ka pranuar se një person e ka vëzhguar për disa ditë, para ngjarjes.

Masha është shprehur në dëshminë e tij përpara hetuesve, se për gati një javë është ndjekur dhe është mbajtur në vëzhgim nga një person.

Sipas tij këtë person e ka vërejtur pranë shkollës që ai administron, por nuk i ka shkuar ndërmend se mund të ketë qenë objektiv i ndonjë atentati, pasi nuk ka konflikt me njeri.

Gjithashtu, ai ka përshkruar përpara hetuesve edhe personin që qëlloi drejt tij. Sipas biznesmenit autori ka qenë i moshës rreth 25-30 vjeç, i veshur me patallona xhinse, esmer me pak mjekër si dhe mbante veshur një kapele, ngjyrë të zezë.

Sipas hetimeve dhe kqyrjeve që i është bërë mjetit me të cilin po lëvizte biznesmeni ai është prekur vetëm nga një plumb, dhe ngjarja dyshohet si paralajmërim ndaj tij.

Mes personave që janë marrë në pyetje është dhe vëllai i Mashës, pasi rezulton person me precedent pasi shumë vite më parë, është dënuar me 15 vite burg për vrasje, dhe hetuesit kanë dyshime mos atentati është bërë për hakmarrje.

Derimë tani policia nuk ka mundur që të arrijë dot të krijojë një profil të autorit të ngjarjes ndaj Mashës.