Transmetuar më 20-01-2022, 11:38

Në qershor 2020, Novak Djokovic bleu 80% të një kompanie daneze, "QuantBioRes", e angazhuar në zhvillimin e një kure trajtimi për të luftuar Covid-19. Më saktësisht, tenisti serb ka marrë mbi 40.8% të kompanisë, ndërsa gruaja e tij, Jelena, 39.2%.

Lajmi u bë i ditur nga "Reuters", i cili ra në kontakt me CEO e kompanisë që operon në sektorin e bioteknologjisë, Ivan Loncarevic. Ai nuk zbuloi se sa është investimi i tenistit numër 1 në botë.

Gjithashtu, sipas asaj që shkruan "Reuters", kompania ka një ekip studiuesish që operojnë në Danimarkë, Australi dhe Slloveni. "QuantiBioRes" po zhvillon një peptid, i cili pengon virusin të infektojë qelizat njerëzore. Testet klinike pritet të fillojnë këtë verë në Britaninë e Madhe. Prandaj, nuk është vaksinë, por një kurë.

Ndërkohë, mungesa në grand slam e “Australian Open” mund t’i kushtojë shumë tenistit serb, që rrezikon të humbasë kreun e renditjes botërore. Ai është kampioni në fuqi në këtë turne, por për shkak të përjashtimit nga Australia, Djokovic (i pavaksinuar) nuk mund ta mbrojë këtë titull. Ndaj, si pasojë e pikëzimit, ai do të humbasë 2000 pikë.

Kjo mund të çojë në rrëzimin e tij nga froni në rast se këtë turne e fitojnë numrat 2 dhe 3 në botë, respektivisht rusi Daniil Medvedev dhe gjermani Alexander Zverev, që në këtë rast do të fitonin 2000 pikë. Kjo gjë mund të ndodhë zyrtarisht në mesin e shkurtit, pasi vjet “Australian Open” u shty dy javë për shkak të pandemisë.