Transmetuar më 20-01-2022, 09:30

Futbollisti i talentuar i kombëtares shqiptare, Nedim Bajrami, vazhdon të tregojë një formë mjaft të mirë në Itali me klubin e tij, Empoli. Në ndeshjen e të mërkurës mbrëma ndaj Interit, e vlefshme për çerekfinalet e Kupës së Italisë, lojtari shqiptar ka gjetur rrugën e rrjetës në minutën e 61-të, duke barazuar shifrat në 1-1.

Lëvizje e bukur në zonë dhe gjuajtje e saktë me të majtën, teksa topi përfundoi në rrjetë. Ky ishte goli i shtatë sezonal për Bajramin, nga të cilët 5 i ka në kampionat dhe 2 në Kupën e Italisë.

Duhet theksuar se asisti i golit erdhi nga shqiptari tjetër i Empolit, Kristjan Asllani, lojtari i kombëtares shqiptare U-21, i cili grumbullohet rregullisht në ekipin e parë të klubit italian.

Madje, 19-vjeçari shqiptar e nisi si titullar ndeshjen ndaj Interit, kurse Bajrami hyri në fushë si zëvendësues, me nisjen e pjesës së dytë, duke u kthyer edhe në protagonist.

Empoli do të kalonte në avantazh madje në minutën e 76-të, por Interi barazoi në minutat e fundit, duke e çuar ndeshjen në shtesë e më pas do të fitonte 3-2, duke u kualifikuar më tej.

Gjatë ndeshjes hyri si zëvendësues edhe mbrojtësi i kombëtares, Ardian Ismajli. Paraqitja e Bajramit dhe Asllanit është vlerësuar me nota pozitive, ndonëse skuadra e tyre nuk arriti të kualifikohej për në gjysmëfinalen e kompeticionit.