Transmetuar më 20-01-2022, 09:06

Këtë herë është dënimi i Gjykatës së Lartë, që konfirmon dënimin me nëntë vite burg të Robinhos dhe mikut të tij Ricardo Falco për dhunë seksuale në grup ndaj një vajze shqiptare 23-vjeçare më 2013. Refuzohet kësisoji apelimi i paraqitur nga avokatët e brazilianit, të cilët synonin mbrojtjen në konsensualitetin e marrëdhënies.

Përcaktuese ishin disa telefonata, në të cilat ish-lojtari i Milanit tregonte mbrëmjen e përdhunimit: “Po qesh se nuk më intereson, vajza ishte e dehur, as ajo nuk e di se çfarë ka ndodhur”. Avokati i vajzës shqiptare të përdhunuar, Jacopo Gnocchi, e komentoi dënimin si më poshtë, duke bërë një apel për drejtësinë braziliane:

“Më shumë se 15 gjyqtarë e shqyrtuan çështjen në shkallën e parë, të dytë dhe të tretë, konfirmuan përdhunimin e klientes sime. Tani duhet të shohim se si do të jetë përmbushja e këtij vendimi. Brazili është një vend i mrekullueshëm dhe shpresoj se do të dijë si ta përballojë këtë situatë”.

Regjistrimet konfirmuan përfundimisht fajin e lojtarit dhe shokut të tij, të cilët gjithashtu do të kishin rënë dakord për përgjigjet që do t’iu jepenin hetuesve, duke thënë se ishin të qetë pasi nuk kishte kamera në dhomë. Dënimi i shkallës së parë erdhi në vitin 2017, dënim i konfirmuar edhe në Apelin e Milanos.

Lojtari më pas humbi kontratën me ekipin e Santos. Tani, problemi i ekstradimit të Robinhos në Itali mbetet. Drejtësia italiane duhet t’i dërgojë një kërkesë zyrtare asaj të Brazilit, e cila më pas duhet të nisë një vlerësim të brendshëm.

Do të shohim zhvillimet, nëse Robinho dhe Falco, pavarësisht dënimit përfundimtar, mund të ekstradohen apo jo në Itali. Kushtetuta e vitit 1988 e ndalon ekstradimin e brazilianëve. Për më tepër, traktati i bashkëpunimit gjyqësor në çështjet penale midis Brazilit dhe Italisë, i nënshkruar në vitin 1989 dhe ende në fuqi, nuk parashikon zbatimin në territorin brazilian të një dënimi të shqiptuar nga drejtësia italiane.

Prandaj, Robinho dhe Falco rrezikojnë të arrestohen vetëm nëse udhëtojnë jashtë vendit, jo domosdoshmërisht në Itali. Për këtë, shteti italian duhet të lëshojë një urdhër arresti ndërkombëtar, që mund të ekzekutohet, për shembull, në çdo vend të Bashkimit Evropian. Fakti daton në natën e 22 janarit 2013.

Në një klub të njohur në zonën e Bicocca-s, sulmuesi i atëhershëm i Milanit ka abuzuar seksualisht me një vajzë me origjinë shqiptare, së bashku me 5 persona të tjerë. Kur u mor në pyetje në vitin 2014, Robinho i mohoi akuzat, duke folur për një marrëdhënie konsensuale. Sidoqoftë, hetimet provuan të kundërtën, ndaj në vitin 2017 drejtësia italiane e dënoi me 9 vite burg. Dënim që mbeti deri në shkallën sipërore të gjykatave italiane.