Transmetuar më 19-01-2022, 23:00

Në qershor 2019, për herë të parë në më pak se 3 dekada pluralizëm, u zhvilluan zgjedhje moniste që i fitoi me 99.99 për qind Partia Socialiste e kryeministrit Edi Rama, i cili përfitoi nga veprimet e opozitës.

Në ato zgjedhje u futën 61 emra socialistë për 61 bashki. Por edhe kaq pak emra sërish nuk dolën të gjithë të papërlyer, të paktën 6 ishin të zhytur në kriminalitet.

Në këto kushte, 6 bashki kanë mbi dy vjet e gjysmë që janë pa kryetarë. Tani, Presidenti Ilir Meta ka vendosur të dekretojë datën 6 mars për mbajtjen e zgjedhjeve të pjesshme lokale.

Meta njoftoi sot se këtë të enjte do të shpallë dekretin për zgjedhjet e parakohshme lokale.

Zgjedhjet e pjesshme vendore priten të mbahen në gjashtë bashki, Shkodra, Dibra, Vora, Durrësi, Rrogozhina dhe Lushnja.