Transmetuar më 19-01-2022, 15:48

Drejtuesit e Borussia Dortmundit kanë filluar të lodhen me “serialin Haaland”. Hans-Joachim Watzke, drejtori i përgjithshëm i klubit gjerman, i është kundërpërgjigjur sulmuesit norvegjez, i cili tha dje se po i ushtrojnë presion që të zgjedhë brenda kësaj jave të ardhmen.

Nuk ka asnjë ultimatum për Haaland që të tregojë tani se ku do të luajë sezonin e ardhshëm, sipas Watzke. Ky i fundit nuk mund të ishte më i ashpër në deklaratat për “ARD”. "Të thuash se i kemi vendosur Haaland-it një ultimatum është marrëzi.

Deklaratat e tij, duke thënë se ne i kemi bërë presion, na befasuan. Nuk ka asnjë afat për të”, – tha Watzke dukshëm i mërzitur. Disa deklarata që kontrastojnë me njëra-tjetrën.

Vetë lojtari, pas përfundimit të ndeshjes mes Borussia Dortmundit dhe Freiburgut nënvizoi se klubi aktual po i bën presion të vendosë shumë shpejt nëse do të rinovojë apo do të largohet:

"Borussia Dortmund tani po më bën presion për të marrë një vendim për sezonin e ardhshëm, por unë thjesht dua të luaj futboll. Kjo ndoshta do të thotë se do të duhet të marr një vendim së shpejti".

Do të shohim se si do të përfundojë “telenovela Haaland”, por gjithçka tregon se lojtari duhet të qartësojë të ardhmen e tij më shpejt se sa vonë. Mesa duket do ta bëjë këtë atëherë kur ofertat të jenë realitet dhe të zgjedhë më të mirën.