Transmetuar më 19-01-2022, 11:14

Babai i vajzës 3-vjeçare që humbi jetën në spitalin e Elbasanit këtë të mërkurë, ka folur për mediat duke deklaruar se e mitura kishte nëntë ditë e sëmurë dhe mjekët i thanë se kishte virozë.

“Vajza kishte 9 ditë që ishte sëmurë. Dje vajza u bë shumë keq. Kur e vizituan na dhanë ilaçe për virozë. S’na kanë dhënë asnjë shkak për vdekjen”, ka deklaruar ai për mediat.

Babai ka treguar se vajza nuk ka pasur probleme të mëparshme shëndetësore.

‘Kur u përkeqësua e sollëm në spital, mori serum, por nuk arriti që të mbijetonte’, thotë më tej babai i 3-vjeçares.

Burime nga spitali i Elbasanit, thanë për noa.al se vajza e mitur kishte mbërritur në gjendje të rëndë në spital, dhe mjekët e patën të pamundur që ta mbanin në jetë.

Vijojnë hetimet në lidhje me shkaqet që çuan në vdekjen e 3-vjeçares.