Transmetuar më 19-01-2022, 09:27

Shkolla e mesme e agrobiznesit “Irakli Tërova” në Korçë, ka vendosur të kyçë dyert deri në fundin e këtij muaji duke kaluar në skenarin e fundit të mësimdhënies, mësimin tërësisht online.

Drejtori i shkollës, Adrian Sheremeni, tha se mbyllja e përkohshme erdhi për shkak se ka shtim të rasteve me kovid te nxënësit dhe mësuesit.

“Duke parë situatën e infektimeve të Covid-19, drejtoria e shkollës vendosi mbylljen e shkollës dhe kalim në skenarin dy, mësim online me platformat e ndryshme që i kemi përdorur në vitet e kaluara.

Arsyeja e mbylljes është sepse kemi infeksione te nxënësit. Numër jo shumë të madh, por kryesorja është sepse kemi infeksione në stafin mësimor. Nga 11 mësimdhënës, pesë kanë rezultuar me Covid-19 ditën e djeshme.

Duke pasur si qëllim parësor ruajtjen e shëndetit, menduam të kalojmë në këtë skenar nga data 18 deri në 28 janar. Nëse do të ketë negativizime në stafin mësimor, mund të rikthehemi në shkollë”, deklaroi Sheremeni duke shtuar më tej se në varësi të situatës do të merret vendimi për zhvillimin e mësimit pas kësaj date.

Jo më pak problematike është edhe gjendja te nxënësit, një pjesë e mirë e të cilëve kanë shfaqur shenjat tipike të koronavirusit. “Shkolla jonë ka rreth 180 nxënës, të ndarë në dy drejtime, veterinari dhe bujqësi. Nga këta rreth 18-20 nxënës ishin me probleme, kollë dhe rrufë. Duke parë këtë situatë menduam ta mbyllim.

Në ditët në vijim do të bëjmë edhe dezinfektimin e shkollës”, nënvizon drejtori teksa shton se me simptoma koronavirusi kanë rezultuar edhe dy nxënës që jetonin në konvikt, duke u bërë kështu potencial infektimi edhe për stafin.

Sheremeni thotë se ata do të shkojnë në shtëpitë e tyre për të vijuar me mësimin online. Veç mësuesve e nxënësve, me COVID-19 ka rezultuar edhe sekretarja e shkollës.

Situata e infektimeve në shkollat e tjera në qytetin e Korçës, nuk paraqitet alarmante, në raport me qytete e tjera. Të dhënat e fundit nga Drejtoria Rajonale e Arsimit në Korçë flasin për 7% mungesa nga ana e nxënësve.

Por jo të gjitha lidhen me covid-19. Sa i takon stafit pedagogjik, rreth 30 mësues aktualisht figurojnë të infektuar. Këtë fillimvit, shifrat e COVID-19 janë shumëfishuar me infektime në masë në të gjithë vendin. Por që prej fundshtatorit, kur shkollat çelën dyert, ky është i pari institucion arsimor që detyrohet të mbyllë tërësisht dyert për të kaluar jo në skenarin e dytë (mësim midis prezencës fizike dhe asaj online), por në atë të tretë, tërësisht mësim përmes aparaturave teknologjike.