Transmetuar më 18-01-2022, 09:59

Gabimi i Marco Serra në kohën shtesë të Milan-Spezia 1-2 është shumë i rëndë për të mos kërkuar falje. Këtë gjë arbitri e bëri menjëherë pas hyrjes në tunelin e “San Siro”.

Sipas raportimeve të “Gazzetta dello Sport”, drejtuesit e AIA (Shoqatës së Arbitrave Italianë) ishin gjithashtu në kohën e duhur për të kërkuar falje.

Andrea Gervasoni, zëvendësi i dizenjatorit Rocchi, i cili ishte i pranishëm në tribunat e stadiumit, bëri “mea culpa” personalisht para drejtuesve të kuqezinjve.

Toni ishte pajtues nga të dyja palët, me AIA që tregonte simpati për zemërimin e “Djallit”. Milanit i mbeti një shije e keqe në gojë, ndërsa trupa arbitrale e kuptoi se ishte një natë absolutisht e keqe.

Pas ndeshjes, 5-6 lojtarë vendës, të drejtuar nga Ibrahimovic patën një përballje me Serra-n pranë dhomës së zhveshjes. Arbitri ishte shumë i tronditur, i pikëlluar dhe i zemëruar me veten.

Ai përsëri kërkoi falje dhe lojtarët i dhanë zemër, duke i shpjeguar se të gjithëve iu ndodh të gabojnë, madje edhe atyre. Tashmë pritet një pezullim i gjatë për të, pas një sërë paraqitjesh pozitive që i kishin dhënë mundësinë për të arbitruar këtë ndeshje.