Transmetuar më 18-01-2022, 07:53

Stefano Pioli ishte shumë i hidhëruar pas humbjes së Milanit në shtëpi ndaj Spezia. Marrja e tri pikëve do t’i ngjiste në krye të Serie A kuqezinjtë, duke parakaluar Interin. Prandaj, kjo disfatë djeg vërtet shumë.

Trajneri ankohet për një ndeshje që e pa ekipin e tij në avantazh dhe më pas humbi 2-1, fillimisht për shkak të gabimit të Hernandez nga pika e bardhë dhe më pas për "rrëshqitjen" e arbitri Serra, i cili në 89′ vërshëlleu një faull ndaj Rebic, me Messias që ishte "viktimë" e portierit kundërshtar, Provedel:

"Episodi i Messias na bëri nervoz, u përpoqa t’i qetësoja lojtarët, por nuk munda. Prova ishte goli i pësuar në minutën e 95-të: humbëm kthjelltësinë. Fajet janë edhe tonat, edhe të treshes së arbitrave.

Sa keq, krijuam shumë raste, duhej ta kishim mbyllur ndeshjen. Një mbrëmje e keqe, duhet të reagojmë menjëherë. Ne nuk ishim shumë efektivë para portës. Përveç penalltisë së shpërdoruar patëm shumë raste, bëmë disa gabime dhe humbëm.

A do të ndikojë disfata në renditje? Nuk na eci, e dinim që kishim një mundësi për të kapur kreun. Avantazhi duhet të na kishte dhënë një shtytje, por nuk ndodhi kështu. Skuadra do të rikuperohet, çdokush mund të ketë një ditë të keqe.

Kampionati është i gjatë. Ndeshjet e ardhshme me Juventusin dhe Interin?Më mirë kështu, duhen ndeshje të rëndësishme pas disfatave të tilla".