Transmetuar më 14-01-2022, 11:50

Shpërthimi i Bonucci; shuplakë zyrtarit të Interit dhe gjobë 10 mijë euroshe, por jo skualifikim. Mbrëmja e së mërkurës në “San Siro” ishte krejtësisht për t’u harruar nga Leo, jo vetëm për humbjen e Juventusit në minutën e 120-të të Superkupës së Italisë ndaj zikaltërve, me golin e Sanchez.

Në të vërtetë, epilogu shumë zhgënjyes krijoi një situatë acarimi maksimal për mbrojtësin bardhezi. Bonucci ishte anash fushës, gati për t’u futur në lojë dhe gjuajtur penallti, por nuk pati kohë, duke qenë se gabimi i Alex Sandro i dha fitoren Interit dhe shmangu lotarinë e 11-metërshave në frymën e fundit.

Pikërisht në atë moment, në mes të festës së zikaltërve, diçka ndodhi. Kamerat e inkuadruan Bonucci ballë për ballë me një zyrtar të Interit për disa sekonda, më pas videot e xhiruara nga tifozët në tribuna dhe të postuara në rrjetet sociale tregojnë pjesën tjetër, goditjen me shuplakë të tij. Kjo gjë nuk u kap në televizion.

Tensioni rritet. Qendërmbrojtësi i Juventusit sulmon sekretarin e përgjithshëm të Interit, Cristiano Mozzillo. Pamjet e kapura nga telefonat inteligjentë tregojnë sherrin dhe Leon duke shtyrë zyrtarin kundërshtar, me gishtin e tij të drejtuar si kërcënim i hapur.

Sipas rindërtimit të incidentit, Bonucci do të kishte reaguar ndaj një talljeje të Mozzillo. “Hyr tani…” – do t’i thoshte ai, duke festuar fitoren e ekipit të tij në sekondat e fundit të Superkupës. "Mos festo në fytyrën time, çfarë po bën. Do të të vras fare", – ishte reagimi i lojtarit të Juventusit, me shumë shtyrje ndaj Mozzillo, i cili i përgjigjet me një "çfarë po bën?"

Episodi ndezi mediat sociale, me një vërshim postimesh midis palëve kundërshtare, atyre që dënojnë Bonucci dhe atyre që e shfajësojnë atë. Përveç telefonave inteligjentë, ky moment nuk iu shpëtoi syve të inspektorëve të Prokurorisë Federale, të cilët dërguan një raport te gjyqtari sportiv. Ky i fundit e gjobiti Bonucci me 10 mijë euro.