Transmetuar më 21-12-2021, 08:53

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, i cili ndodhet në Shqipëri në një vizitë dy ditore për të firmosur marrëveshjet më të rëndësishme të “Open Ballkan” u shpreh në një intervistë për RTS-në se paktet që do të nënshkruhen në Tiranë janë bërthama e diçkaje që do të bëjë që kjo pjesë e Evropës të jetë në thelb pa kufij. Ai komentoi edhe djegien e flamurit serb në protestën që u zhvillua pasditen e djeshme në Tiranë nga Sali Berisha.

“E di që shumica janë të interesuar se çfarë do të them për djegien e flamujve, por në mënyrë racionale duhet të shikojmë nga e ardhmja. Nuk do të hyjmë në arsyet e tyre të brendshme partiake, por sigurisht që është e papranueshme përdhosja e simboleve dhe mendoj se Shqipëria ka reaguar me shpejtësi, seriozitet dhe përgjegjësi”, tha Vuçiç.

Aleksandar Vuçiç theksoi se “Ballkani i Hapur” është një ide e shkëlqyer që do të forcohet. “Sot ne po nënshkruajmë një marrëveshje për lejet e punës”. Ai thekson se Ballkani me nismën e re do të jetë më tërheqës për investitorët, sepse nëse i mungojnë punëtorët në Kumanovë, ai do të mund të llogarisë në çdo vend në Serbi ku mund të marrë punëtorë. “Njerëzit do të lëvizin shumë më tepër, do të kenë mundësi për biznes dhe bashkëpunim” thotë Vuçiç. Paraditen e sotme në Pallatin e Brigadave në Tiranë pritet që të firmosen marrëveshjet mes palëve.