Transmetuar më 19-12-2021, 22:18

Biznesmeni dhe kreu i AKR-së, Behgjet Pacolli i ka shkruar një letër publike kryeministrit Albin Kurti duke thënë se e ka takuar një natë para zgjedhjeve ndërsa tani nuk iu përgjigjet as letrave që i shkruan.

Sipas Pacollit, takimi u bë sepse Kurti kishte nevojë për votën e tij, ndaj i drejtohet publikisht duke i thënë se presidenti i një shteti është i interesuar të vijë javën e ardhshme në Kosovë për ta zyrtarizuar njohjen e pavarësisë.

Letra e Pacollit për Kryeministrin Kurti:

I nderuar zoti kryeministër,

Takimi ynë i fundit me ju ishte një natë para zgjedhjeve presidenciale, kur ju kishit nevojë për votën time. Duke e ditur se ju nuk përgjigjeni ne letrat e mia, ( ashtu siç nuk iu përgjigjët dhe as atyre letrave që kërkoja lirimin e instrumenteve mjekësore,sipas rregullave, për spitalin e pediatrisë që i kishit bllokuar në terminalet doganore.

Duke ditur këtë, më mbetet vetëm t’ju drejtohem publikisht;

Në WhatsApp, më datën 18/12 ju kam dërguar letrën dhe mesazhin e Presidentit të shtetit që konfirmon se janë të gatshëm (javën e ardhshme) të vizitojnë Kosovën, për të kryer formalitetet e njohjes dhe të diskutojnë për vizitën e juaj në këtë shtet.

Gjithçka është e rregulluar, zotni Kryeministër, unë kam punuar gjatë për këtë njohje dhe pritet vetëm miratimi juaj.