Transmetuar më 03-12-2021, 12:00

Mbërrijnë në aeroportin e Maqedonisë së Veriut me dy aeroplanë ushtarakë trupat e pajetë të 45 personave që humbën jetën në aksidentin me autobus në Bullgari.

Mbrëmë vonë Ministria e Punëve të Jashtme në profilin e saj zyrtar në Fesjbuk njoftoi se eshtrat e qytetarëve që humbën jetën në aksidentin e autobusit në Bullgari pas transportit të tyre në aeroportin e Shkupit, do të dërgohen menjëherë në shtëpitë e tyre dhe në varreza.

“Ju njoftojmë se eshtrat e qytetarëve që humbën jetën në aksidentin e autobusit në Bullgari pas transportit të tyre në aeroportin e Shkupit, do të dërgohen menjëherë në shtëpitë e tyre dhe në varreza. Ky ndryshim vjen në përputhje me kërkesat e disa familjeve të viktimave, në mënyrë që trupat të dorëzohen para namazit të Xhumasë. Për qytetarët që duan të bëjnë nderime, mbetet mundësia që këtë ta bëjnë në sheshin “Skënderbej” nga ora 10 deri në 13:00″, bëhet e ditur në shkrimin e MPJ-së në Facebook.

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër për Sistem Politik dhe Marrëdhënies mes Bashkësive, Artan Grubi dje në takimin me Ambasadorin e Republikës së Bullgarisë, Angel Angellov, e ka falënderuar për intervenimin e shpejtë të autoriteteve bullgare me qëllim të zbardhjes së ngjarjes tragjike në të cilën jetën e humbën 45 udhëtarë nga Maqedonia e veriut, si dhe trajtimi dhe kujdesi i ofruar për të mbijetuarit.

Instituti joqeveritar bullgar për Siguri në Rrugë në ndërkohë angazhoi një revizor ndërkombëtar që të bëjë kontroll të paanshëm profesional të situatës në rrugë para aksidentit të rëndë në autostradën Struma, në të cilin humbën jetën 45 shtetasit e Maqedonisë së Veriut.

Siç informon korrespodenti i MIA-s nga Sofja, gjatë kontrollit është konstatuar se rrethojat mbrojtëse nuk janë vendosur në përputhje me kërkesat. Në vendin e aksidentit të trafikut kanë ndodhur shumë aksidente me çka ishin dëmtuar rrethojat mbrojtëse. Në këtë rast, ka pasur instalim të sërishëm të objektit në korsinë e mesme ndarëse. Nga Instituti për Siguri në Rrugë sugjerojnë se në rajonin e njëjtë ndoshta ka pasur edhe aksident paraprak trafiku. Lidhja e rrethojës mbrojtëse ishte montuar gabimisht me dy në vend se me katër vida, siç është dashur. Ky është, bëjnë të ditur, shkaku për çka rrethoja mbrojtëse është thyer edhe krahas shpejtësisë së vogël me të cilën ka goditur autobusi.

“Seksioni i kobshëm ‘Struma’ është lëshuar në përdorim para 20 viteve pa Akt 16. Është konfirmuar edhe se mungojnë shenja dhe se ka shenja të dëmtuara. Është dërguar raport edhe në Agjencinë për Infrastrukturë Rrugore, ndërsa ky informacion duhet të kontrollohet nga organet hetuese të Bullgarisë”, thonë nga organizata joqeveritare.

Në ndërkohë, dje prokurori Biser Mihaillov dhe hetuesi Marian Marinov, të cilët punojnë në zbardhjen e rastit të tragjedisë, deklaruan për BTV, se dihet shkaku për zjarrin dhe lokacionin nga burimi i tij fillestar në autobusin me turistë nga Maqedonia e Veriut gjatë kthimit nga Stambolli.

Siç informon korrespodenti i MIA-s nga Sofja, Marian Marinov ka refuzuar të zbulojë shkakun e zjarrit dhe ka thënë se “do t’ua lë ekspertëve” të cilët tashmë kanë “tezat” e tyre. Por, hetuesi komenton se në autobus ishte “varur” një copë e madhe e rrethojës mbrojtëse në gomën e derës hyrëse, ishte gjetur “harmonikë e lakuar” dhe “shkatërruar cisternë plastike”.