Transmetuar më 29-11-2021, 16:05

Ishin kthyer në tmerrin e Lezhës dhe zonës përreth. Vihen në pranga 2 shtetas, një tjetër procedohet në gjëndje të lirë, të implikuar në veprimtarinë kriminale të vjedhjes dhe të armëmbajtjes pa leje. Kapet edhe kallashi me 90 fishekë.

Policia e Lezhës finalizoi operacionin policor “Vila”.

Në kuadër të këtij operacioni, në dalje të qytetit Lezhë, në afërsi të një vile, shërbimet e Policisë “Shqiponja “kanë identifikuar mjetin e dyshuar dhe kanë bërë të mundur ndalimin e tij.

Gjatë kontrollit të automjetit me drejtues shtetasin J.B. dhe pasagjerë shtetasit L.Xh., e L.Gj., Policia gjeti një armë zjarri automatik, 90 fishekë dhe sende të dyshuara të vjedhura nëpër banesa të ndryshme, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale së bashku me automjetin.

Në vijim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve: J.B., 22 vjeç dhe L.Xh.,17 vjeç, banues në Tiranë.

Gjithashtu, u proçedua penalisht për veprën penale “Moskallëzim krimi ” shtetasi L.Gj.,16 vjeç, banues në Tiranë.

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se shtetasit e lartëpemendur në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohet se janë autorë të disa vjedhjeve në banesa në zonën e Lezhës dhe nën drejtimin e Prokurorisë, vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj veprimtarie kriminale dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në të.

Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve shpërthyese dhe municionit ” , “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta “, kryer nëbashkëpunim dhe “Moskallëzimi i krimit”.