Transmetuar më 29-11-2021, 13:52

Sot po festohet në Dibër pasi rruga që presin prej vitesh banorët e kësaj zone po bëhet realitet.

Bëhet fjalë për rrugën e Arbrit që hapet provizorisht, me kalim bypass tek tuneli i Qafë-Murrizit, ku për shkak të formacioneve gjeologjike komplekse, puna ka ecur më ngadalë dhe përfundon në pranverë, kur rruga do të bëhet për vetëm 47 minuta, nga 1 orë e 20 minuta që bëhet sot ose nga 4 orë që bëhej deri dje.

Këtë vepër të re, dibranët zgjodhën ta festojnë me aheng të madh ndërsa nga tuneli dolën makinat e para që ju drejtuan Tiranës. Ministrja e Instrastrukturës njoftoi se rruga do të hapet për të gjithë në 14:00.

Kryeministri i kurseu fjalimet e gjata në këtë inaguurim dhe bashkë me të pranishmit e përshkuan me këmbë tunelin.

Ky aks konsiderohet me vështirësi qarkullimi për shkak të kushteve atmosferike dhe do të ketë edhe kontrolle për gomat dimërore të cilat kërkohen sipas kodit rrugor përgjatë periudhës tetor-mars.

Aksi do të monitorohet nga patrulla përgjatë 24 orëve njësoj si Rruga e Kombit.