Transmetuar më 28-11-2021, 22:38

Krisanthi Ndriço, është 12 vjeçarja që humbi jetën për shkak se banesa e saj në Dervician u përfshi nga flakët mbrëmjen e kësaj të diele.

Burime bëjnë me dije për noa.al se vajza ka humbur jetën në reanimacionin e spitalit të Gjirokastër, ndërsa nga zjarri ka pësuar lëndime dhe babai i saj, i cili është jashtë rrezikut për jetën.

Familjarët qëndruan për minuta me radhë në urgjencën e spitalit ‘Omer Nishani’, por mjekët e kanë pasur të pamundur që të mbanin në jetë vajzën e mitur.

Nuk dihet ende se çfarë e ka shkaktuar zjarrin në banesën e familjes Ndriço, ndërkohë që vajza e cila humbi jetën vuante nga spektri i autizmit. Paraprakisht dyshohet se kemi të bëjmë me një shkëndijë elektrike që ka shkaktuar zjarrin.

Policia dhe zjarrfikëset që kanë mbërritur në banesë, kanë bërë të mundur shuarjen e zjarrit, ndërkohë që pasojat janë tragjike. Tashmë po hetohet në lidhje me shkaqet e zjarrit.