Transmetuar më 27-11-2021, 22:01

Vëllai jep alarmin për zhdukjen e motrës.

Një nënë e dy fëmijëve të mitur rezulton e zhdukur prej 6 ditësh në Durrës. Bëhet fjalë për Aureta Cauli, familjarët e së cilës kanë denoncuar në polici për zhdukjen e saj. Vëllai i saj, Ilirjan Cauli rrëfen për BW se motra e tij, Aureta Cauli ishte larguar nga puna ditën e hënë, ku kishte punuar vetëm 2 orë dhe më pas ishte larguar me pretendimin se kishte seancën e divorcit në Pogradec.

Ai shton se e motra e kishte telefonuar kushërirën e saj dhe i kishte kërkuar të njoftonte nënën e saj për t’i marrë një fëmijë nga çerdhja dhe tjetrin nga shkolla. Më pas telefoni i saj ka dalë i fikur. Po ashtu i vëllai ka treguar se ditën e enjte e motra i ka dërguar dy foto ku ajo shfaqej duke marrë serum e shtrirë në një krevat spitali.

Pasi ka marrë këto foto nga e motra, vëllai i saj është paraqitur sërish në polici dhe ka kërkuar që të bëhet lokalizimi i motrës së tij. Ai dyshon se është rrëmbyer nga katër burra dhe këtë e mbështet në një telefonatë që ajo ka patur me kushërirën ku i ka thënë: "Më morën katër burra, dua të shoh për herë të fundit fëmijët". Më tej vëllai i saj ngre akuza ndaj policisë për mosveprim në kohë, ndonëse policia ka komunikuar me Urgjencën Kombëtare për të bërë të mundur lokalizimin e spitalit ku ishte shtruar Aureta.