Transmetuar më 26-11-2021, 12:44

Kryeministri Edi Rama ka thënë në konferencën e përbashkët me Albin Kurtin se marrëveshjet e bëra ndër vite nga qeveritë e Kosovës dhe Shqipërisë nuk janë zbatuar me përpikmëri të gjitha, por në të njëjtën kohë nuk mund të thuhet se rezultatet janë zero.

Rama shtoi se sot nuk jemi në kushtet e marrëveshjekracisë që vendet të bëjnë marrëveshje dhe pastaj e lëmë për mbledhjen e ardhshme. Përgjigja e dhënë gazetares ka pasur edhe me një batutë të kryeministrit, i cili tha se puna e tyre është të që ta shohin gotën gjysmë bosh, ndërsa qeveria gjysmë plot. Sipas Ramës rëndësi ka që në gjysmën bosh s’mund të pihet ujë, në gjysmën plot mund të pihet ujë.

“Që të themi se jo të gjitha marrëveshjet e firmosura kanë gjetur zbatim të plotë mund ta themi pa asnjë dyshim dhe e kemi diskutuar që ditën e parë. E para nuk është e vërtetë se rezultati është 0. Një pjesë e marrëveshjeve janë zbatuar plotësisht një pjesë nën zbatim dhe një pjesë kanë ngecur. Me Albinin dhe qeverinë aktuale kemi pasur një qasje dinamike dhe faktikisht jemi fokusuar tek një numër marrëveshjesh që kjo vetëm janë konkrete në fjalë, por edhe pjesë e një pune konkrete që është bërë.

Nuk jemi në kushtet e marrëveshjekracisë që bëjmë marrëveshje dhe pastaj e lëmë për mbledhjen e ardhshme. Mos mendoni që sekretariati është një mekanizmëm që e shpikëm ne sot. Ka qenë prej kohësh një kërkesë e vetë punës, por nuk është bërë asnjëherë. Sot e kemi.

Duhet të jemi pak më vlerësues siç jemi edhe vetë kritikë për çfarë në të shkuarën mund të mos ketë shkuar si duhet. Puna juaj e do që të shihni gjysmën bosh, ne gjysmën bosh. Rëndësi ka që në gjysmën bosh s’mund të pihet ujë, në gjysmën plot mund të pihet ujë”, tha Rama.