Transmetuar më 25-11-2021, 10:30

Jamie Carragher bëri ​​një paralajmërim të fortë për Lionel Messin dhe kolegët e tij sulmues, pasi PSG mori një tjetër zile alarmi në Ligën e Kampionëve nga Manchester City. Gjigantët francezë u mundën 2-1 në “Etihad”, të mërkurën mbrëma, ndërsa golat e pjesës së dytë të Raheem Sterling e Gabriel Jesus përmbysën golin e vetëm të Kylian Mbappe.

Rezultati do të thotë se Manchester City e mbyll në krye të Grupit A, ndërsa PSG përballet me mundësinë e një kundërshtari më të vështirë në turin tjetër, si skuadër e kualifikuar në vendin e dytë. Ishte një mbrëmje tjetër zhgënjyese për një sulm të mbushur me yje, që shumë e konsiderojnë si më të mirin në Evropë.

Në fakt, Messi dhe Neymar nuk patën fare ndikim mbrëmë, kundër nikoqirëve dominues. Carragher akuzoi dyshen, si dhe golashënuesin Mbappe, se nuk arritën ta tërhiqnin përpara skuadrën e tyre, ndërsa minimizoi shanset e PSG për ta fituar Ligën e Kampionëve.

"Unë thjesht nuk besoj se PSG mund të shkojë deri në fund të këtij edicioni, – tha Carragher për “CBS Sports”. – Le të themi se katër janë skuadrat favorite, njëra prej tyre do ta fitojë Ligën e Kampionëve: Manchester City, Liverpool, Chelsea ose Bayern Munich.

Jamie Carragher accused Lionel Messi of being a "passenger" for PSG

PSG ka tri yje në sulm, por jo një ekip të konsoliduar. Për mua nuk ka absolutisht asnjë shans për ta fituar Ligën e Kampionëve, absolutisht asnjë shans”.

Carragher pranoi se ishte veçanërisht i acaruar me lojën e Mbappe, ngaqë ai është shumë më i ri se Messi: “Jam frustruar duke parë Mbappe më shumë se cilindo tjetër. Unë pothuajse mund ta kuptoj Messin deri në një masë, sepse është 34 vjeç dhe duhet ta ruajë veten për momente të caktuara.

Ende nuk mendoj se parizienët mund të triumfojnë, edhe pse kanë marrë Messin. Të mos harrojmë se Barcelona nuk ka fituar asnjë Champions prej një kohe të gjatë. Mbappe është 22 vjeç, duhej të kthehej mbrapa me sprint dhe të ndihmonte shokët e tij kundër një ekipi të nivelit të lartë si Manchester City. Ecja e tij nëpër fushë nuk më pëlqeu fare".

Carragher beson se nuk ka asnjë krahasim midis mentalitetit të sulmuesve të PSG dhe atyre të skuadrave kryesore të Premier League apo Bayern Munich: “Kur shoh Salah dhe Mane duke sprintuar kudo për Liverpool-in, shoh De Bruyne, Mahrez, Raheem Sterling për Manchester City; Thomas Muller apo Lewandowski për Bayern Munich, më duken si hije yjet e PSG. Unë thjesht nuk mund ta pranoj këtë paraqitje, nuk më intereson se sa të mirë janë. Ato nuk punojnë për ekipin”.