Transmetuar më 25-11-2021, 09:06

Stefano Pioli shprehet i kënaqur me paraqitjen dhe mbi të gjitha rezultatin e Milanit të tij, i aftë për të fituar me meritë ndaj Atletico Madridit, në fushën e këtij të fundit, dhe për të qëndruar ende në garën e kualifikimit në 1/8 finale të Ligës së Kampionëve.

Ndeshja e fundit në grup do të vendosë gjithçka, kur kuqezinjtë do të presin në “San Siro” Liverpool-in e kualifikuar tashmë. Trajneri italian u shpreh pas fitores 1-0 në “Wanda Metropolitano”: “Është e drejtë të festoj me Lojtarët e mi, sepse bënë një paraqitje të rëndësishme.

Ata luajtën me cilësi dhe kurajo. Gjithmonë kanë besuar te vetja, ndaj është e drejtë të gëzohemi bashkë me ta. Besoj se rruga është e duhura, e sotmja ishte një provë e rëndësishme pjekurie”.

Më pas, ai lavdëron Messias, i cili më pak se katër vite më parë luante në mesin e amatorëve, ndërsa mbrëmë shënoi golin e fitores ndaj Atletico Madridit: "Është një histori e bukur, por mendoj se është vetëm në fillim. Ai ka cilësi të mira, mbërriti pak vonë, por tani e tutje do t’i japë një ndihmë të madhe ekipit”.

I ngacmuar për rinovimin e kontratës me Milanin, Pioli përgjigjet me qetësi: “Jam në harmoni të plotë me klubin, ka respekt dhe besim reciprok. Ndjeshmëria e përgjithshme është se duhet të vazhdojmë kështu. Është puna që bën diferencën, cilësitë, idetë dhe mbi të gjitha rezultatet. Pastaj do të vijë firma”.