Transmetuar më 25-11-2021, 08:55

Për napolitanët dhe argjentinasit ai do të jetë gjithmonë lojtari më i mirë në histori. Për të tjerët, një nga legjendat absolute, shpesh në vendin e parë, shpesh në renditjen e të pavdekshmëve. Diego Armando Maradona ishte vetë futbolli dhe do të jetë gjithmonë, në të gjitha format e tij. Një jetë e ndërlikuar, por e lidhur pazgjidhshmërisht me lojën magjike.

I ndarë nga jeta më 25 nëntor 2020, një vit më parë, Maradona ka arritur disa bëma gjatë karrierës së tij: ka ngjitur Napolin në “Olimpin” e futbollit italian, ka udhëhequr kombëtaren argjentinase drejt fitores në Botërorin e saj të dytë. Ai nuk ka shënuar 800 gola në karrierë, as fituar 5 Champions League, por të flasësh për “Pibe d’Oro” do të thotë të mendosh për botën e futbollit nga çdo kënd.

SA TROFE KA FITUAR MARADONA?

Trofeu më i rëndësishëm është padyshim ai i vitit 1986, kur dominoi Botërorin, duke i sjellë trofeun Albiceleste falë paraqitjeve monstruoze. Emblema është padyshim ndeshja e fituar kundër Anglisë me “golin e shekullit”, ose siç njihet ndryshe “dora e Zotit”.

Jo vetëm Botërori, por edhe tre trofe të tjerë i siguroi me fanellën e Barcelonës (Kupa e Spanjës, Superkupa e Spanjës dhe tituli i La Liga-s). Shkëlqimin e madh e pati padyshim në kohën e Napolit.

Në “San Paolo”, stadium i riemërtuar “Diego Armando Maradona” pas vdekjes së tij, argjentinasi ishte në gjendje të festonte titullin e Serie A më 1987 dhe 1990, Kupën e Italisë më 1987, Superkupën e Italisë më 1990 dhe Kupën UEFA më 1989.

Totali? 10 trofe, të cilëve iu shtohet edhe Botërori U-20 më 1979.

GOLAT E MARADONËS, NAPOLI DHE ARGJENTINA

Kur bëhet fjalë për Maradonën, Napoli dhe Argjentina janë sigurisht fanellat më të njohura që ai ka veshur. Megjithatë, edhe tifozët e Sevilla, Barcelona, Newell’s Old Boys, Argentinos Juniors dhe Boca Juniors shijuan bëmat e tij, me ulje-ngritje.