Transmetuar më 25-11-2021, 08:06

Napoli fitoi gjyqin ndaj ish-lojtarit të vet, tashmë pjesë e Lazios, Elseid Hysaj. Shqiptari ishte një prej lojtarëve të gjobitur nga De Laurentiis, pas “marrëveshjes” së famshme që ndodhi në dhomat e zhveshjes blu, mbas ndeshjes së Napolit ndaj Salzburgut më 5 nëntor 2019.

Trupi gjykues vlerësoi se objekti i protestës së lojtarëve mund të ndalohej edhe nga klubi, jo vetëm trajneri. Nëse protesta do të bëhej në ambientet e qendrës sportive ku stërvitej ekipi, nuk do të kishte shkelje të kontratës. Ajo “kryengritje” e vitit 2019 ka shkaktuar kësisoji “viktimën” e parë, Elseid Hysaj.

Më poshtë njoftimi për shtyp nga klubi napolitan: “SSC Napoli Spa njofton se sot është publikuar vendimi i parë i arbitrazhit në lidhje me propozimet e gjobave për pjesëtarët e ekipit të parë në sezonin sportiv 2019-2020, për ngjarjet në vijim të ndeshjes së Champions League, Napoli-Salzburg, e datës 5 nëntor 2019.

Me këtë dispozitë, Bordi i Arbitrazhit, referuar Marrëveshjes Kolektive LNPA/AIC/FIGC, gjobiti lojtarin Elseid Hysaj me 40 mijë euro, duke njohur kështu legjitimitetin e ndëshkimit të urdhëruar nga klubi.

Scouting Arsenal Transfer Target Elseid Hysaj | Bleacher Report | Latest  News, Videos and Highlights

Pra, u konfirmua shkelja e kontratës nga lojtari, i cili nuk respektoi direktivën e klubit. Avokatit Mattia Grassani, i cili ka mbrojtur shkëlqyeshëm klubin napolitan, i shkojnë falenderimet tona të sinqerta”.

Një hakmarrje e De Laurentiis ndaj mbrojtësit shqiptar, ndoshta edhe për shkak të lamtumirës së tij falas, verën e këtij viti. Më konkretisht, presidenti i Napolit kërkonte nga Hysaj 65 mijë euro, që i binte 25% e pagës mujore bruto.

Drejtuesit e klubit, pas ndeshjes me Salzburgun, urdhëruan një zbor të detyruar (qëndrimin në grumbullim, në mjediset e klubit) për skuadrën si formë ndëshkimi, por të gjithë lojtarët nuk e zbatuan atë që kërkoi De Laurentiis. Ata ikën në shtëpitë e tyre, përfshirë dhe Hysajn. Dhe ja tani, vjen fatura e kripur për shqiptarin, që bëhet shembull.