Transmetuar më 24-11-2021, 21:25

Presidenti Ilir Meta ka folur për marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës për të cilën shprehet se nuk ka rezultate konkrete, pavarësisht marrëveshje të shumta të firmosura mes dy vendeve.Në një intervistë për median kosovare ATV, Meta mori si shembull taksën për rrugën e Kombit. Kreu i Shtetit shqiptar tha se kjo taksë duhet hequr pasi është shqetësuese për dy vendet.

Sipas Metës, detyra e drejtuesve politikë të Kosovës dhe Shqipërisë është që të mos krijojnë pengesa dhe t’i çlirojnë vendet nga këto burokraci.

“Këto janë marrëdhënie jo vetëm strategjike por edhe jetike për shqiptarët kudo që janë. Detyra jonë është të mos krijojmë pengesa dhe të çlirojmë vendin nga burokracia. Janë shumë marrëveshje të firmosura por pak rezultate konkrete. Do ketë një takim të ri mes dy qeverive ku do ketë një bilanc për rezultatet konkrete. Këtë kërkojnë të gjithë qytetarët. Duhet të eleminohen njëherë e përgjithmonë. Duhet të jetë angazhimi i të gjithëve, taksa e rrugës së Kombit duhet të hiqet. E kam thënë dhe më herët. Të ndalosh kalimin duke vendosur pagesën gjatë sezonit turistik, është shqetësuese. Shyqyr që ju nuk keni vendosur reciprocitetin“ – tha Meta.

Presidenti Ilir Meta deklaron se Shqipëria ka humbur shumë vite në proceset integruese në BE, çka sipas tij ka dëmtuar dhe Kosovën.

“Ne duhet të bëhemi të përgjegjshëm dhe më të sinqertë. Jemi shqiptarë dhe ballkanas, nuk duhet të bëhemi shumë skandinavë. Duhet të jemi racionalë, ajo që na mungon është pikërisht perspektiva. Kemi atë termin ‘avash avash‘. Kemi humbur shumë vite. Për fat të keq, Shqipëria ka humbur kohë të pajustifikueshme në raport me proceset e integrimit europian. Në samitin e Goteborgut në Suedi në vitin 2001, Shqipëria u përfshi në stabilizim asocimin. Ju premtua hapja e negociatave për këtë marrëveshje. Shqipëria arriti t’I çelë këto negociata pavarësisht disa pengesave. Në vitin 2005, Sali Berisha e firmosi këtë marrëveshja. Në 2012 Mali i Zi çeli negociatat që Shqipëria nuk I ka çelur as sot. Jemi 9 vite më prapa. Ne probleme nuk kishim me fqinjët. Ne probleme të brendshme të karakterit etnik nuk kemi. Jemi një popull 100% pro europian. Serbia ka dilemat e veta me orientimit europian dhe lindjes. Unë vendosa dhe për ndryshimin e datës së zgjedhjeve lokale. Ne çfarë na pengon. Po sikur Shqipëria të ishte më përpara, imagjinoje si do ishte dhe Kosova tani. Plagoseshin dhjetra qytetarë në protestat që bënte miting opozita. Ishte një situatë që nuk i shkon asnjë vendi. Kjo situatë ishte një luftë për pushtet. Jo përgjegjshmëri e një opozite serioze“ – tha Meta.

Ndërkohë për procesin e Ballkanit të Hapur, Meta tha se është një iniciativë e sforcuar dhe është ndërmarrë në kushtet e një protagonizmi të drejtuesve politikë.

“Integrimi rajonal ka qenë gjithmonë pararendës i integrimit europian. Përpara Ballkanit të Hapur kemi dhe procese të tjera integruese. Kjo iniciativë është e sforcuar sepse synon t’i mbivendoset iniciativave të tjera. Është ndërmarrë në kushtet e një protagoizmi të drejtuesve të caktuar. Është një iniciativë që ka minuar parimin e reciprocitetit që kanë pasur proceset e tjera rajonale. Në këtë rast nuk kemi integrim, por për të vasalizuar vende të tjera. Sjell spostim të procesit të integrimit europian” – tha Meta.