Transmetuar më 24-11-2021, 15:14

Deputeti shqiptar na bën krenar duke recituar vargje të Himnit të Flamurit Kombëtar në Kuvendin e Serbisë. Fjala i ka emocionuar të gjithë.

Një video shihet deputeti i minoritetit shqiptar në Parlamentin serb, Shaip Kamberi.

Deputeti ka mbajtur një fjalim teksa ka kërkuar të krijohen kushtet për përdorimin e simboleve kombëtare shqiptare në Serbi.

Bëhet me dije se në seancën e sotme plenare në Kuvendin serb ai solli në vëmendje se shqiptarëve të Luginës së Preshevës iu është mohuar kjo e drejtë. Deputeti Kamberi tha se Serbia si vend që pretendon anëtarësimin në BE duhet të eliminojë ligjet diskriminuese.

Në përfundim të fjalës së tij, Kamberi recitoi disa vargje nga Himni i Flamurit i shkruar nga Asdreni.

“Unë këtu mund vetëm të përmend vandalizmin ndaj flamurit shtetëror shqiptar, por detyra ime qenësore në këtë Kuvend është të pyes pse Shqiptarët e Luginës së Preshevës, respektivisht ata që jetojnë në Serbi, nuk munden lirshëm, publikisht dhe zyrtarisht të përdorin simbolin e tyre kombëtar, simbol ky që përfaqëson në thelb një pjesë të identitetit të tyre.Të gjithë ne, besoj, që synojmë anëtarësimin në Unioni Evropian. Pikërisht ajo Evropë të cilën po e synojmë është e njohur për “aftësitë e integrimit e jo të shkatërrimit ose eliminimit të diversitetit”.Si vend i cili pretendon të jetë pjesë e BE-së, (edhe pse sot me të drejtë mund të shtrohet pyetja nëse Republika e Serbisë me të vërtetë dëshiron anëtarësimin), ky shtet duhet të eliminojë ligjet e veta diskriminuese. Njerëzit janë shpirtërisht të lidhur me simbolet e tyre identitare. Njerëzit shpeshherë, përgjatë historisë, edhe kanë vdekur për ato simbole. Prandaj, pa marrë parasysh ligjet aktuale, situatën negative politike, e cila mohon simbolet tona, unë mund të them që ne nuk do të heqim dorë nga simbolet tona identitare.

Ne, me durim do të angazhohemi dhe do të presim kur e drejta jonë identitare mbi përdorimin e lirë, publik dhe zyrtarë do të realizohet. Besojmë në një zgjidhje të këtillë sepse kjo çështje në vendet e rajonit është kryer që moti në dialog me pakicat. Deri atëherë ne as nuk do të dorëzohemi as nuk do të nënshtrohemi. Në fund të fundit angazhimin tonë të pandalshëm për identitetet dhe simbolet na obligojnë edhe rreshtat e himnit tonë:

Se Zoti vetë e tha me gojë

Që kombe shuhen përmbi dhe,

Po Shqipëria do të rrojë;

Për të, për të luftojmë ne!

Faleminderit”, ka thënë deputeti shqiptar në parlamentin serb.

https://www.facebook.com/sh.kamberi/videos/633897537620618/