Transmetuar më 24-11-2021, 13:42

Këshilli i Ministrave ka miratuar gjatë mbledhjes së sotme një sërë vendimesh të rëndësishme, që lidhen kryesisht me marrëdhënien me Kosovën.

Një prej marrëveshjeve ka të bëjë me lejet e qëndrimit dhe të punësimit, e cila u prezanua nga ministri i brendshëm Bledi Çuçi.

“Miratuam një marrëveshje që do të nënshkruhet të premten në mbledhjen e përbashkët mes qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës. Marrëveshje që ka të bëjë me lejen e qëndrimit të shtetasve respektive. Është një lajm i mirë për shtetasit e Kosovës do të marrin me një aplikim dhe pa dokumente, menjëherë lejen e qëndrimit për 5 vite në Shqipëri. Brenda lejes do të jetë edhe leja e punës. Është lajm i mirë edhe për shqiptarët në Kosovë do të marrin leje qëndrimi në Kosovë me procedura të lehtësuara siç janë sot”, tha Çuçi.

Po ashtu pritet të nënshkruhet edhe një marrëveshje që ka të bëjë me mbrojtjen sociale. Ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, tha se u propozua një marrëveshje që ka të bëjë me njohjen e periudhës së sigurimeve shoqërore mes Shqipërisë dhe Kosovës.

“Në vijim të asaj që u prezantua nga kolegu, sot u prezantua një marrëveshje që pritet të nënshkruhet në marrëveshjen e përbashkët. Marrëveshja ka të bëjë me mbrojtjen sociale të qytetarëve shqiptarë dhe është marrëveshja për njohjen e periudhës së sigurimeve shoqërore mes Shqipërisë dhe Kosovës.

Marrëveshja është e rëndësishme për të mundësuar një trajtim të barabartë, të të gjithë të punësuarve, punëmarrësve, të vetëpunësuarve që do t’u njihen periudhat e sigurimeve dhe të kontributeve në të dyja vendeve Nëpërmjet kësaj marrëveshjeje qytetarët shqiptarë  që jetojnë në Kosovë do të mund të përfitojnë nga përfitimet e rasteve që merren nga aksidentet në punë, do të mund të përfitojnë nga pensionet e pleqërisë, invaliditetit apo pensioneve familjare në të dyja vendet”, tha Ibrahimaj.

Ndërkohë ministrja e Arsimit, Evis Kushi, u shpreh se të gjithë nxënësit e klasës së parë në Shqipëri do të kenë një tekst të unifikuar të Abetares.

“Sot kemi vendosur që nga kjo procedurë të përjashtohet teksti i abetares. Që do të thotë të gjithë nxënësit në klasën e parë të kenë një tekst të unifikuar. Kemi dakordësuar që për abetaren të kemi një tekst të unifikuar. Kjo sjell qasje dhe metodologji të njëjtë. Do të vijojmë për këtë projekt, një gjuhë, një abetare”, tha ministrja.

Një tjetër vendim ishte marrë edhe Ministrinë e Bujqësisë ku ishte aprovuar një nismë për grupet vendore të veprimit. Ministrja Frida Krifca tha se ky është një ligj i rëndësishëm që afrohet me kuadrin europian.