Transmetuar më 21-11-2021, 18:29

Në Shqipëri do bllokohen të gjitha makinat me timon anglez. Drejtori i Transportit Rrugor Blendi Gonxhe, ka deklaruar se të gjitha mjetet me timon anglez të cilat qarkullojnë në Shqipëri, do të bllokohen duke nisur nga ato që janë targuar pas marsit të vitit 2015 dhe që kanë ende sistem drejtimin në krahun e djathtë. Shkak për këtë masë, sipas ekspertëve, është bërë shtimi i aksidenteve rrugore dhe në Kodin Rrugor është ndaluar me ligj importimi i automjeteve me timon anglez.

Gjithashtu edhe punonjësit të cilët kanë kaluar makina të tilla në kolaudim do të largohen nga puna ose në raste të tjera do të ndiqen penalisht.

Gonxhe u shpreh: Çdo targim bërë nga çfarëdolloj bakshishi apo shoku, apo është targuar pas 21 marsit 2015 dhe je ende në rrugë me timon anglez, je në shkelje flagrante të Kodit Rrugor.Makina bllokohet, futet në alert, futet në listën e zezë, nuk do kalojë dot kolaudimin. Të gjithë ata që vazhdojnë të abuzojnë në këtë mjet si në momentin e parë të targimit deri sot, nëse i ofrojnë shërbim në mënyrë të paligjshme, janë subjekt i kallëzimit për ndjekje penale. Tashmë vetëm në muajt e parë të kolaudimit ne kemi kapur shumë raste. Vetëm javën e shkuar ne kemi njoftuar për largim nga detyra 10 punonjës të DPSHTRR të cilët në vite të ndryshme kanë abuzuar me mjetet të cilat sot janë në rrugë me timon anglez në kundërshtim të hapur me ligjin. Këta njerëz do humbin vendin e punës, do përballen me organet e drejtësisë. Auditi po punon me evidentimin e këtyre mjeteve. Për të gjithë qytetarët që kanë një automjet me sistem drejtimin në krahun e djathtë, do duhet që të ndërrojnë krahun e timonit. “Duhet të ndërrojnë krahun e timonit, duhet të përputhen me kriteret dhe normat, ligjit të kodit rrugor. Të bëjnë ndryshime konstruktive, të aplikojnë për ndryshime konstruktive”- shton më tej Gonxhe.