Transmetuar më 20-11-2021, 16:43

Kryetari i parlamentit të Serbisë, Ivica Dacic reagoi ndaj një vendimi të Kuvendit të Kosovës që atje të mos shërbehen produkte serbe, duke thënë se kjo gjë nuk e befason.

Por ai menjëherë kaloi në sulm. “Ata duhet të ndërrojnë emrin një herë”, tha Daçiç, sepse Kosovë është fjalë serbe edhe sipas uebsajt të CIA”, është shprehur ai.

Deputeti i AAK-së, Bekë Berisha, iu drejtua më herët kryeparlamentarit Glauk Konjufca duke i kërkuar të mos shërbehen produkte serbe në bufenë e parlamentit.

Provokimi i Daçiç vjen në një kohë kur delegacionet teknike të Kosovës dhe Serbisë përmbyllën këtë javë takimet e veçanta me ndërmjetësuesin e bisedimeve në Bruksel, pa ndonjë rezultat për shkak të mospajtimeve mbi temat që duhet diskutuar.

Analistët mendojnë se formati aktual i bisedimeve Kosovë-Serbi nuk garanton një marrëveshje të shpejtë përfundimtare.

Kryeministri Kurti dhe presidenti Vuçiç, u takuan dy herë gjate verës por pa ndonjë përparim. Vëzhguesit thonë se edhe nëse do të ketë ndonjë takim të ri sipas paralajmërimeve të zotit Borrell, vështirë të pritet ndonjë përparim, ndërkohë që Serbia e cila kundërshton pavarësinë e Kosovës, do të mbajë zgjedhjet e reja presidenciale e parlamentare në pranverën e vitit që po vjen.