Transmetuar më 16-11-2021, 20:48

Ngjarja e tmerrshme që ndodhi sot në Fier, ku një djalë 8 vjeç u rrëmbye dhe u vra nga një person me çrregullime psikike, sjell në vëmendje, nevojën urgjente për të futur në institucion të posaçëm izolimi dhe rehabilitimi, personat që shfaqin probleme mendore.

Nëntë vjet më parë, më 2012, Klodian Çalamani u akuzua se në bashkëpunim kishte rrëmbyer një vajzë të mitur. Atëherë ai u dënua me 4 vjet burgim.

Më 2016, Bashkimi Evropian alarmoi qeverinë shqiptare për nevojën e ngritjes sa më parë të një instituti të posaçëm mjekësor për trajtimin e personave me sëmundje mendore, përfshirë të burgosurit me probleme të tilla.

Bashkimi Evropian, në Raport Progresin e 2016, duke kërkuar me këmbëngulje këtë institucion, pohoi se situata e të sëmurëve mendorë është shqetësuese.

Qeveria bëri vetëm një lëvizje. Ajo ia kaloi ministrisë së Shëndetësisë juridiksionin, por ky dikaster që kontrollohet nga Ogerta Manastirliu, nuk e ngriti kurrë institucionin e shumëkërkuar.

Burime nga Drejtoria e burgjeve thanë për noa.al se vetëm në Krujë janë të paktën 300 persona të sëmurë mendorë që janë dënuar nga Gjykatat dhe po vuajnë dënime për shkak të krimeve që kanë kryer në kushte të paaftësisë mendore.

Por kjo është vetëm njëra anë e medaljes. Fakt rrënqethës është se në të gjithë vendin janë me mijëra shqiptarë të tjerë me probleme mendore të gradave të ndryshme, që më së shumti janë të identifikuar nga banorët, por jo nga institucionet shtetërore.

Sidomos në fshatra, shumë të sëmurë mendorë njihen mirë nga banorët, por kjo është bërë rrjedhë jete për ta edhe pse shpesh janë përballur me ngjarje tronditëse.

Ndonëse krimet nga njerëz me çrregullime mendore po shtohen përditë, asgjë nuk po bëhet për identifikimin, lokalizimin, izolimin dhe trajtimin e tyre. Kjo është një gjë urgjente sepse krime të tilla të rënda si ajo e sotmja në Fier, janë një alert i tmerrshëm se qytetarët janë të pambrojtur edhe nga njerëzit me personalitet të dyfishtë dhe veprime të pakontrolluara mendërisht. /noa.al