Transmetuar më 15-11-2021, 13:27

Kryeministri i Kosovës dhe kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka folur për rezultatin e zgjedhjeve lokale në Kosovë ku LVV arriti të fitojë vetëm 4 komuna.

Kurti ka thënë se në Lëvizjen Vetëvendosje ka disa defekte të brendshme dhe bashkimi i të gjitha partive kundër LVV.

“Rezultati jo i kënaqshëm për neve, vjen si rezultat i defekteve të brendshme që duhet t’i analizojmë ditëve në vijim dhe i bashkimit të të gjithë tjerëve kundër Vetëvendosjes”, ka thënë Kurti.

Kurti ka uruar gjithashtu kryetarët e ri të komunave dhe iu ka premtuar bashkëpunim.

“Administrimi i procesit zgjedhor të balotazhit nga KQZ ishte shumë i mirë. I uroj të gjithë kryetarët e komunave që u zgjodhën dje, do të kenë shumë beteja dhe punë në përballjen me krimin dhe korrupsionin, posaçërisht në fushën e ndërtimit të egër, ku po shpëlahen para. Unë do të bashkëpunoj me ta në këtë betejë”, përfundoi Kurti.

Lëvizja Vetëvendosje, e cila në zgjedhjet parlamentare të shkurtit fitoi mbi 50 për qind të votave, në rundin e parë të zgjedhjeve lokale nuk arriti të fitojë asnjë komunë. Në rundin e balotazhit, partia e kryeministrit Albin Kurti fitoi në katër nga 12 komunat ku ishte në balotazh.

Vetëvendosje arriti të fitojë në Gjilan, Podujevë, Kamenicë dhe në Shtime./a.m/noa.al