Transmetuar më 12-11-2021, 10:56

Regjimi i vizave për Kosovën do të mbetet në fuqi edhe për pjesën e fundit të 2021-ës. Burime diplomatike të Gazetës Express kanë konfirmuar se liberalizimi i vizave s’do të jetë në agjendën e Këshillit të BE-së në këtë vit kalendarik. Pritja e kosovarëve për të marrë vizë shengen në ambasada do të vazhdojë.

Këshilli i BE-së, që është institucioni vendimmarrës i Bashkimit Evropian, nuk pritet ta fus në agjendë as këtë vit çështjen e liberalizimit të vizave.

“Diskutimet për liberalizimin e vizave për Kosovën kanë mbetur në nivel teknik brenda Këshillit. Kjo temë nuk pritet të jetë në agjendën e Këshillit para fundit të vitit”, ka thënë ky burim.

Mosfutja e çështjes së liberalizimit të vizave në agjendën e Këshillit sipas këtyre burimeve ka të bëjë edhe me shqetësimet që kanë shtetet anëtare të BE-së lidhur me përmbushjen e kritereve të kërkuara nga ana e Kosovës.

Skepticizmi sa i përket kritereve është arsyeja pse shtetet anëtare në Këshill s’kanë dalë me një qëndrim të përbashkët lidhur me heqjen e vizave.

“Propozimi për t’i dhënë Kosovës liberalizim vizash është paraqitur nga Komisioni Evropian në Këshill dhe në Parlamentin Evropian në vitin 2016, pas një raporti më 2018 që tregonte se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret e kërkuara. Është mbi bazën e këtij propozimi që Këshilli e ka diskutuar këtë çështje me synim për t’u pajtuar rreth mandatit të negocimit për fillimin e diskutimeve me Parlamentin Evropian. Megjithatë, përkrahja e nevojshme për një tekst nuk është arritur ende për shkak të shqetësimeve nga një numër i shteteve anëtare sa i përket përmbushjes së kritereve të kërkuara”, ka thënë tutje ky burim.

Kosova mbetet vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor, qytetarët e së cilës ende nuk e gëzojnë të drejtën e lëvizjes së lirë në zonën shengen.

Në korrik të vitit 2016, Komisioni Evropian kishte konsideruar se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret dhe i rekomandoi shteteve anëtarë të Bashkimit Evropian heqjen e regjimit të vizave. Të njëjtin rekomandim KE e ka bërë edhe në vitin 2018. Në anën tjetër Parlamenti Evropian, më mars të këtij viti ka ripërsëritur me shumicë votash mbështetjen në favor të liberalizimit të vizave për Kosovën.

Vendimi final mbetet te Këshilli i Ministrave. Aty nevojitet shumicë e kualifikuar që të kalojë ky vendim.

Deri tash, votimi për liberalizimin e vizave për Kosovën nuk është prezantuar asnjëherë në takimet e ministrave të BE’së shkaku i skepticizimit të disa shteteve anëtare të BE-së.

Mosliberalizimi i vizave është parë si mospërmbushje e premtimeve të BE-së karshi Kosovës.

Franca dhe Holanda janë përmendur si dy shtete kryesore që kanë dilema për dhënien e dritës së gjelbër për liberalizim të vizave për Kosovën.

Sllovenia është kryesuese e Presidencës së Këshillit të BE-së deri më 31 dhjetor 2021, ndërkaq nga 1 janari 2022 deri më 30 qershor 2022, presidencën do ta udhëheqë Franca.