Transmetuar më 10-11-2021, 14:07

Gani Çekun së bashku me djalin e tij, Selimin kanë qenë të arrestuar nga forcat serbe në malet e fshatit Kodrali të komunës së Gjakovës. Më pas, thotë se e dërguan në sekretariat të punëve të brendshme të po këtij qyteti, ku e pyeten për shumëçka.

Ai ka rrëfyer se si i kaluan nga një burg në tjetrin dhe frikën që kishte asaj kohe. Nga sekretariati, i dërguan në burgun e Pejës por nuk i keqtrajtuan.

Frika e tij nisi kur Ceku, aso kohe 51 vjeç dhe djalin e tij, 17 vjeç, i dërguan në burgun e Lipjanit. Ndërsa në burgun e Dubravës, Çeku nuk e kishte djalin afër. Ai tregon se shqetësohej ngaqë vazhdimisht dëgjonte rrahje të pamëshirshme diku prej disa dhomave të burgut.

Fati i mirë i përcolli vetëm atëherë kur i shpëtuan masakrës së Dubravës. Por, pas asaj, i nisën për në burgun e Nishit, atje ku dhomën e kishin ndarë me Albin Kurtin, kryeministrin aktual të Kosovës.

“Nuk fliste me neve, i lexonte disa romane dhe thoshte e kam përfunduar Fakultetin”, tregon i moshuari.