Transmetuar më 03-11-2021, 11:22

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se nuk do ta lejojë bosnjëzimin e Kosovës, edhe nëse do të jetë në opozitë. Në një intervistë për BBC tha se Kosova nuk e ka prioritet dialogun Kosovë-Serbi për normalizimin e marrëdhënieve, pavarësisht se, sipas tij, kjo çështje nuk do të duhej të neglizhohet.

“Duan ta përsërisin Bosnjën në Kosovë. Nuk do ta lejoj këtë, pavarësisht nëse jam në opozitë apo qeveri. Për këtë më votuan njerëzit, të parandaloj bosnjëzimin e Kosovës. Jam i bindur se me programin tonë, do të ndihmojmë serbët po aq sa shqiptarët. Nëse pyesni serbët në Kosovë se cilat janë shqetësimet e tyre kryesore, ata thonë punësimi dhe drejtësia. Beogradi dëshiron të ketë shtet brenda një shteti. Shtetin e Serbisë brenda Kosovës së pavarur”, tha Kurti.

Sipas tij, qeveria po fokusohet në zhvillimin ekonomik të vendit, në sundimin e ligjit kundër korrupsionit dhe gjithashtu me pandeminë e koronavirusit. Dialogu me Serbinë renditet si prioritet në vendin e katërt.

“Ne fituam zgjedhjet e 14 shkurtit me një fitore të favorshme me prioritet për pune. Nuk dua të neglizhoj normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, por zhvillimi ekonomik në një anë dhe sundimi i ligjit në anën tjetër, gjithashtu dhe pandemia, do të thotë se dialogu me Serbinë është në vendin e katërt në agjendën tonë të shtet-ndërtimit demokratik për republikën tonë të pavarur”, ka thënë Kurti.