Transmetuar më 02-11-2021, 20:21

Zv.kryeministri i Maqedonisë së Veriut Nikolla Dimitrov do të jetë ai që do të zëvendësojë Zoran Zaev në takimin që do të mbahet në kuadër të  “Open Balkan” për dy ditë me radhë në Beograd të Serbisë.

Agjenda për këtë takim që organizohet nga Këshilli Atlantik, përfshin edhe panel diskutimi me temë “Transformimi digjital si dorë ndihmëse për integrimin rajonal”, në të cilën do të ketë përfundime dhe më pas do të mbahet konferencë për shtyp, sipas Telegrafi Maqedoni.

Në kuadër të mbledhjes në Beograd, janë parashikuar të mbahen takime të liderëve të Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Serbisë.

Një ditë më parë presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçicc vuri në dyshim zhvillimin e takimeve në Beograd, pasi në një postim në Facebook u shpreh se, “mbështetje e fortë Open Balkan. A duhet të mbajmë apo shtyjmë një takim në Beograd, duke marrë parasysh ngjarjet në Shkup?”.

Open Balkan është një nismë mes Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë. E njohur më herët si Mini-Shengeni Ballkanik, nisma ka nxitur debat mes vendeve të Ballkanit, ku Kosova, Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina nuk kanë pranuar të angazhohen.

Në fund të muajit korrik liderët, Rama, Zaev dhe Vuçiç firmosën tri marrëveshje bashkëpunimi.