Transmetuar më 28-10-2021, 20:57

Tashmë është zyrtare, Facebook-u do ta ndryshojë emrin dhe lajmin e ka bërë të ditur shefi ekzekutiv Mark Zuckerberg. Tashmë kompania do të njihet si “Meta”, tha ai. Po ashtu, do të ketë edhe një logo të re, një “M” në ngjyrë blu.

Ndryshimi i fundit është një përpjekje për të drejtuar vëmendjen drejt rrjetit “metaverse”, pasi i referohet një morie karakteristikash të realitetit të shtuar dhe virtual që pritet të jenë e ardhmja e rrjeteve sociale.

Por, nuk përjashtohet edhe mundësia që kjo lëvizje të jetë një përpjekje për të larguar vëmendjen nga skandalet e fundit që kanë dalë.

Zuckerberg tha se emri “Facebook” nuk reflekton gjithçka që kompania ka bërë, duke sjellë vëmendjen edhe tek aplikacionet e tjera si Instagram dhe platforma e realitetit virtual Oculus.

Kompania tha se do të "përfshinte" më mirë atë që bën, pasi zgjeron shtrirjen e saj përtej mediave sociale në fusha si realiteti virtual.

Ndryshimi nuk zbatohet për platformat e tij individuale, si Facebook, Instagram dhe Whatsapp, emrin do ta ndryshojë vetëm kompania mëmë që i zotëron ato.

Lëvizja vjen pas një sërë historish negative për Facebook, bazuar në dokumentet e zbuluara nga një ish-punonjës.