Transmetuar më 28-10-2021, 14:30

CONMEBOL është organizata më e fundit e futbollit që refuzon propozimin e FIFA-s për Kupë Bote çdo dy vite, si me periodicitetin 4-vjeçar, sikurse funksionon deri tani.

Javën e kaluar, Federatat Evropiane, nën “çatinë” e UEFA-s, e hodhën poshtë idenë në fjalë. Duket se përpjekja e FIFA-s për të gjetur konsensus ka shkuar dëm, ndaj me gjasë propozimi i saj nuk do të votohet nga shumica e anëtarëve.

Të mërkurën, Këshilli i CONMEBOL njoftoi vendimin e marrë me unanimitet në një takim të mbajtur në Paraguaj: "Nuk ka arsye, përfitime apo justifikime për ndryshimin e promovuar nga FIFA. Në funksion të kësaj, dhjetë vendet që përbëjnë CONMEBOL konfirmojnë se nuk do të marrin pjesë në një Kupë Bote të organizuar çdo dy vite.

Projekti në fjalë iu kthen shpinën gati 100 viteve të traditës botërore të futbollit, duke injoruar historinë e një prej ngjarjeve sportive më të rëndësishme në planet. CONMEBOL mbështet Kupën e Botës siç është aktualisht, me termat dhe sistemet e saj të klasifikimit, sepse ka dëshmuar të jetë një model i suksesshëm, i bazuar në përsosmërinë sportive dhe që shpërblen përpjekjet, talentin e punën e planifikuar”.

Propozimi i Arsene Wenger ka ndeshur në refuzim dhe përbuzje që nga shpallja fillestare, me “FIFPro”, shoqatën e futbollistëve profesionistë, që kundërshton sasinë e ndeshjeve që luhen. Edhe klubet janë të shqetësuara se fuqia ekonomike do të zhvendoset te FIFA nëse implementohet ky projekt.

Duket tashmë e pamundur të ndodhë Botërori çdo dy vite, sepse UEFA ka refuzuar, edhe Brazili me Argjentinën, si pjesë e CONMEBOL.