Transmetuar më 28-10-2021, 13:39

Mohamed Salah do t’i shtohet kurrikulës shkollore në Egjipt për të frymëzuar nxënësit që të arrijnë sukses të madh në karrierë, sikurse ka bërë “Faraoni” te Liverpool. Historia e jashtëzakonshme e Salah, brenda dhe jashtë fushës së blertë, do të përfshihet në librat e shkollave fillore dhe të mesme në mbarë vendin, sipas “The Times”.

Fëmijët më të vegjël do të mësojnë për kontributin e jashtëzakonshëm të Salah si për klubet, ashtu edhe për kombëtaren në fushën e blertë. Nxënësit e shkollave të mesme do të eksplorojnë aktet bamirëse të superyllit dhe do të mësojnë se si ai i shërben shoqërisë.

Image: PA

Teksti për nxënësit e shkollave të mesme thotë: “Shtysa e Salah për të ndihmuar të tjerët vjen nga dëshira e tij për t’u dhënë të rinjve një shans për të pasur sukses. Ai është një model për miliona egjiptianë, që i kanë vendosur pseudonimin ‘krijuesi i lumturisë’”.

Libri shkollor është i ilustruar me një fotografi të 29-vjeçarit, shoqëruar me vajzën e tij Makka, e cila ka një emër që lidhet me qytetin më të shenjtë të Islamit,zakonisht i shkruar "Meka" në anglisht.

Salah ka qenë një zbulim për Liverpool-in që nga transferimi i tij aty në vitin 2017. Heroi i “Anfield”, i mbiquajtur "Mbreti Egjiptian", ka shënuar 140 gola të pabesueshëm për “Reds”. Ai e ka ndihmuar skuadrën e kuqe të fitojë Ligën e Kampionëve dhe Premier League gjatë kësaj periudhe tejet “pjellore” edhe në planin personal.

Ai është në rrugën e duhur për një tjetër sezon të shkëlqyeshëm, pasi ka shënuar tashmë 15 gola në të gjitha garat, duke përfshirë “hat-trick”-un e fundit kundër Manchester United. Salah ka bërë paraqitje “heroike” edhe me kombëtaren e tij, duke e udhëhequr atë drejt finaleve të Kupës së Botës 2018.