Transmetuar më 28-10-2021, 11:52

Argjentina do ta festojë në mënyrën më të mirë ditëlindjen e Diego Armando Maradonës. E shtuna e 30 tetorit do të ishte përvjetori i 61-të i “Pibe de Oro”, ndaj qeveria, si pjesë e eventeve të planifikuara për këto ditë, ka vendosur ta shpallë vendlindjen e legjendës së futbollit si trashëgimi kombëtare.

Dekreti tashmë është firmosur nga presidenti Alberto Fernandez dhe bën pjesë në buletinin zyrtar të masave të qeverisë. Në dekret thuhet se “ajo shtëpi përfaqësoi për të, gjatë gjithë jetës së tij, besnikërinë ndaj origjinës dhe lidhjen e thellë që e bashkonte me familjen”.

Më pas, dekreti qeveritar iu referohet hapësirave të hapura aty pranë, “ku Diego, para se të bëhej Maradona, krijoi një dashuri të pazgjidhshme me topin”. Ndërkohë, po lançohet një serial televiziv kushtuar jetës së Diegos.

Fjala është për “Maradona, ëndrra e bekuar”, dokumentar i cili, pas shfaqjes në Argjentinë, do të transmetohet nga “Amazon Prime” në 250 vende të botës. Për të interpretuar “Pibe de Oro” në tri faza të ndryshme të jetës së tij kanë aktruar Nazareno Casero, Juan Palomino dhe Nicolas Goldschmidt.

Dokumentari në fjalë “rindërton” ndeshjet e luajtura nga “10” në Argjentinë, Spanjë, Itali, Uruguaji dhe Meksikë, vendi i fundit ku Maradona fitoi Kupën e Botës me Albiceleste në vitin 1986.