Transmetuar më 28-10-2021, 10:40

Ministri i Brendshëm gjerman, Horst Seehofer, i intervistuar nga “Bild” për fushatën e vaksinimit kundër Covid-19, iu dërgoi mesazhe atyre që nuk janë imunizuar ende.

Ndër ta bie në sy emri i Joshua Kimmich, yllit të Bayern Munich dhe të kombëtares gjermane: “Ti je model, nëse vaksinohesh edhe të tjerë do ta bëjnë këtë”, – iu drejtua zyrtari i lartë futbollistit bavarez.

Kimmich, javën e kaluar pretendoi se nuk ishte vaksinuar, duke ngjallur disa polemika në vend. Lojtari i Bayernit, për të justifikuar deklaratat e tij, tha se nuk ishte kundër vaksinës.

Ai foli për "arsye personale" ku bazohej vendimi për të mos u vaksinuar, së bashku me efektet afatgjata, që mund të gjenerojë injeksioni. Kimmich i përket numrit të kufizuar të futbollistëve profesionistë të pavaksinuar në Gjermani.

Sipas drejtorit ekzekutiv të Ligës Gjermane, Christian Seifert, 94% e futbollistëve gjermanë e kanë marrë vaksinën. Në Gjermani, sipas të dhënave zyrtare, përqindja e popullsisë së vaksinuar është 66.4%.