Transmetuar më 28-10-2021, 09:51

Jose Mourinho vuajti në tribunë gjatë 90 minutave të lojës, por në fund, Roma e tij arriti të fitonte në fushën e Cagliarit dhe të merrte tri pikët që i mungonin nga 3 tetori i kaluar.

Kujtojmë se trajneri portugez ishte pezulluar në këtë ndeshje, nuk mund t’i drejtonte të tijtë nga stoli, pas kartonit të kuq që mori në sfidën pararendëse ndaj Napolit.

Portugezi e shijoi fitoren ndaj sardinezëve me një ‘meze’ të lehtë, të cilën e hëngri në shkallët e stadiumit të Cagliarit, para se të nisej për në kryeqytet.

Një foto e publikuar nga vetë “Special One” në rrjetete sociale, i cili më pas donte të lavdëronte sidomos Felix, djaloshin e lindur në vitin 2003, i cili hyri në pjesën e dytë dhe bëri një paraqitjeje të shkëlqyer.

"Ndeshja mbaroi. Tri pikë…. ushqim i mirë (nuk mund të shkoj në dhomën time) dhe një djalosh më shumë”, – ka shkruar trajneri i Romës, duke etiketuar sulmuesin e të rinjve verdhekuq.

Ndërkohë, sa i takon shqiptarit tonë, Marash Kumbulla zëvendësoi Jordan Veretout në minutën e 91-të të ndeshjes Cagliari-Roma. Pra, hyri sa për të vonuar lojën, sikurse thuhet në kësi raastesh.

Megjithatë, mbrojtësi i kombëtares kuqezi bëri edhe një rol tjetër, atë të “korierit”, sepse mori një letër nga stafi teknik verdhekuq dhe ia dërgoi Gianluca Mancinit. Ishin udhëzime taktike për minutat shtesë, gjë që Mourinho e kishte bërë edhe kundër Hellas Veronës.