Transmetuar më 27-10-2021, 13:49

Gara për “Topin e Artë” po arrin sprintin e saj të fundit, me disa kandidatura të spikatura. Karim Benzema (Real Madrid), Robert Lewandowski (Bayern Munich), Cristiano Ronaldo (Manchester United) dhe Jorginho (Chelsea) janë në kërkim të çmimit, për të cilin Leo Messi është favorit absolut, sipas sondazheve.

34% e lexuesve të prestigjiozes sportive spanjolle “MARCA” mendojnë se argjentinasi duhet ta fitojë për herë të shtatë çmimin e madh individual, përpara Benzema (26%) dhe Lewandowski (11%). Në vitin 2021, kur ndodhi largimi i tij nga “Camp Nou” te PSG, Messi ia ka shtuar meritat vetes, të cilat përmbledhen nga miku dhe kolegu më i mirë.

"Unë mendoj se Leo e meriton ‘Topin e Artë’, sepse ka pasur një vit spektakolar në nivelin personal, pavarësisht se fitoi vetëm Kupën e Mbretit me Barcelonën. Ajo që ai bëri, duke qenë golashënuesi dhe asistuesi më i mirë në La Liga, pastaj fitimi i Kupës së Amerikës me kombëtaren, duke qenë gjithashtu golashënuesi dhe asistuesi më i mirë, meritojnë shpagim.

Është një çmim që Leo e meriton për çfarë ka fituar, duke pasur gjithmonë parasysh se sa e vështirë është të qëndrosh në këtë nivel vit pas viti, për kaq shumë kohë. Diçka pothuajse e pamundur! Në garën për ‘Topin e Artë’ nuk duhet vetëm të shikosh se çfarë ka bërë gjatë këtij viti, por si është fituesi si futbollist në vijimësi. Mendoj se ai nuk ka rival", – rrëfeu Luis Suárez për në ‘Olé’.

Gjatë vitit 2021, Messi ka shënuar 40 gola dhe ka dhënë 14 asiste në 48 ndeshje mes Barcelonës, PSG-së dhe Argjentinës. Numra me të cilët konkuron ballë për ballë me rivalët e tjerë. CR7 shënoi 38 gola dhe dha 4 asiste në 50 ndeshje të këtij viti, deri tani; ndërsa Benzema ka 35 gola e 14 asiste në 49 ndeshje.

Lewandowski i mund të për numrin e golave (54), ndërsa Jorginho fitoi dy titujt e mëdhenj, Ligën e Kampionëve dhe “Euro 2020”. Mbappé dhe Haaland shpërthyen…, por janë prapa këtyre yjeve të stërkonfirmuar. Gjatë këtij viti, Messi arriti në kuotën e 80 golave me Argjentinën, duke kaluar Pelé (77) si golashënuesi më i mirë i kombëtareve të Amerikës së Jugut.

Ylli argjentinas ka në “palmaresin” e vet 38 tituj në total (10 La Liga, 7 Kupa Mbreti, 4 Liga Kampionesh, 1 Kupë të Amerikës). Në planin individual, ai ka fituar 6 “Këpuca të Arta”, 2 herë “The Best FIFA”, 8 herë golashënuesi më i mirë në La Liga…