Transmetuar më 27-10-2021, 11:41

Hera e parë e Massimiliano Allegrit në pankinën e Juventusit ishte jashtë, kundër Chievo, që fatkeqësisht nuk ekziston më në Serie A. Ishte fundi i gushtit, bënte mjaft vapë brenda “Bentegodi”. Shtatë vite e dy muaj më vonë, Allegri do të ulet (si të thuash, pasi i jeton të gjitha ndeshjet në këmbë) për të 200-tën herë në të njëjtin stol të Serie A.

Do ta bëjë këtë sot kundër Sassuolos, që ndan dimensionin “provincial” me Chievo. Max do të bëhet trajneri i tretë në historinë e Juventusit, që arrin 200 ndeshje në Serie A, pas Marcello Lippi dhe Giovanni Trapattoni.

Dy trajnerë të cilët, ashtu si ai, u larguan si fitues, edhe nëse në kompeticione të ndryshme: Trapattoni nuk e vendosi dot “Scudetto” në gjoks, por puthi një Kupa UEFA (1992-1993). Në vend të kësaj, Lippi iu shtoi 2 tituj plus 3 të tjerëve, të fituar më parë me bardhezinjtë. Po kështu, ai e ktheu Juventusin në finalen e Champions League.

Max Allegri u thirr për të hapur një cikël të ri, pas dështimit të eksperimenteve me Sarri dhe Pirlo. Fillimisht duhet të shkëlqejë brenda kufijve italianë, pas vendit të 4-t në sezonin e kaluar, i siguruar vetëm ndeshjen e fundit.

Klubi i duhej dikush që të kthente normalitetin dhe rregullat, besimin te vlerat e “Continassa”. Presidenti Andrea Agnelli, i cili është i lidhur me Allegrin nga miqësia dhe vlerësimi reciprok, mendoi se ky ishte njeriu i duhur për stolin e gjigantëve torinezë.

Kur mbërriti për herë të parë, Max gjeti një skuadër që vinte nga 3 tituj radhazi të Serie A, solide dhe me fytyrë të mirëpërcaktuar. Ai e kuptoi menjëherë se nuk kishte nevojë të bënte revolucion; përfitoi nga puna e paraardhësit, u largua nga mbrojtja me tre lojtarë për të kaluar tek ajo me katër.

Asoskohe, grupi u ndje gati për t’i asimiluar idetë e tij futbollistike. Përveç shtimit të titjujve të tjerë në Itali, Allegri e dërgoi Juventusin dy herë në finalen e Champions League. Me kalimin e viteve ka shkuar nga 3-5-2 në 4-3-1-2, por edhe 4-2-3-1; me Pjanic, Cuadrado, Dybala, Mandzukic dhe Higuain së bashku që nga fillimi.

Ai la një Juventus të varur nga Ronaldo dhe gjeti një skuadër jetime pa CR7, sepse portugezi u largua sapo filloi kampionati aktual. Allegri ka më pak stola në Serie A sesa Lippi dhe Trapattoni, por ka përqindjen më të lartë të sukseseve (73% kundrejt 58% dhe 53% të dy paraardhësve).

Ai u kthye për të shtuar më shumë faqe në librin e tij bardhezi. 10 pikët e shkëputjes nga kreu janë shumë aktualisht, por jo të parikuperueshme. Ashtu si në vitet 2015-2016, kur Juventusi i tij ishte protagonist i një rikthimi të jashtëzakonshëm. Allegri kurrë nuk është ndalur dhe nuk do të ndalet së besuari te “Scudetto”.