Transmetuar më 27-10-2021, 11:15

25 nëntori do të jetë përvjetori i parë i vdekjes së Diego Armando Maradonës. Me këtë rast, Barcelona dhe Boca Juniors kanë vendosur t’i bëjnë homazhe me një ndeshje në emër të tij.

“Maradona Cup” do të mbahet më 14 dhjetor në Riad të Arabisë Saudite, në stadiumin “Msool Park”, me një kapacitet prej 25 mijë spektatorësh. Megjithatë, kjo miqësore simbolike në nder të legjendës argjentinase të futbollit nuk mori miratimin e të gjithëve.

Mes kritikëve është edhe Diego Armando Maradona Junior, djali i madh i kampionit argjentinas, i cili në Instagram kritikoi ashpër iniciatorët e kësaj ndeshjeje në kujtim të babait të tij.

“Është e turpshme, – shkroi Maradona Jr në rrjetet sociale. – Unë nuk e di se kush e shiti ‘Maradona Cup’, por e kuptoj mirë se është një gjë e keqe nga organizatorët! T’iu vijë turp!"

Napoli nuk do të marrë pjesë në ndeshjen speciale në kujtim të “Dorës së Zotit”. A mund ta ketë shqetësuar ky fakt trajnerin 35-vjeçar të Napoli United?!