Transmetuar më 27-10-2021, 08:37

Chelsea ka shpresa të mëdha se Armando Broja mund të jetë një nga yjet e ardhshëm, i dalë nga akademia e tij si klub, por po e vëzhgon nga larg, teksa pati një fillim të vështirë huazimi te Southampton. Kështu shkruan "Goal" për sulmuesin tonë të kombëtares. Dhe vazhdon:

Me dy gola të shënuar në dy ndeshjet e fundit, sulmuesit 20-vjeçar shqiptar i është dashur të durojë për të fituar minuta aktivizimi. Blutë zgjodhën ta dërgonin Brojën në një klub tjetër të Premier League në formë huazimi, pavarësisht tre golave ​​në tri ndeshje gjatë përgatitjeve parasezonale. Trajneri Thomas Tuchel e mori nga Interi qendërsulmuesin Romelu Lukaku.

Oferta e huazimit nga Southampton u pranua shpejt, me shqiptarin e lindur në Angli që zëvendësoi Danny Ings (në largim) dhe duhej të rivalizonte Che Adams e Shane Long për titullar. Fillimisht, Broja ishte i kufizuar me aktivizimet. E nisi nga pankina edhe në “Carabao Cup”. Për më tepër, trajneri Hasenhuttl bëri thirrje që Broja të përshtatej, sepse sulmuesi luante një stil të ngjashëm loje si te Vitesse, sezonin e kaluar.

“Broja e nisi ngadalshëm te ne, por në tri javët e fundit është mbresëlënëse se sa shpejt po mëson. Ai dëshiron të bëjë sa më mirë”, – tha trajneri i Southampton në fillim të shtatorit. “Të shtunën e kam kuptuar pse nënshkruam me të dhe pse skautët donin që ta afronim. Dy javët e para po mendoja se çfarë mund të japë për ne si ekip dhe kisha dyshime, të jem i sinqertë.

Armando Broja 'looking forward to the years ahead' with dream club Chelsea  - We Ain't Got No History

Kam pasur disa biseda shumë serioze me Brojën, ku i kam thënë se çfarë dua të shoh prej tij në fushë dhe i kam kërkuar të mos jetë i ngadalshëm. Mendoj se duhej shtyrë pak dhe tani po lëviz në drejtimin që duhet. Ai po tregon cilësitë që ka, jemi të kënaqur deri në këtë moment”, – shtoi së fundi trajneri austriak, pasi 20-vjeçari shqiptar i dha fitore me golat e tij.

Broja nuk është i panjohur për vështirësitë, sepse ka luftuar fort në sezonin e parë me Chelsea U-18, përpara se të bëhej talenti më emocionues sulmues i akademisë së bluve. Ndodh shpesh që huazimi i parë në Premier League për një lojtar të ri mund të jetë i pakëndshëm. Reagimi i mëpasshëm i Brojës ndaj kritikave publike duhet vlerësuar.

Ai punoi shumë dhe ka nisur të shënojë në Premier League. Broja ka 7 gola me klubin dhe kombëtaren në 12 ndeshje të luajtura këtë sezon. Shumë prej këtyre ndeshjeve i ka nisur nga pankina, por ka një mesatare goli çdo 73 minuta. Duke folur pas golit të tij kundër Burnley, të shtunën, ishte e qartë se mendimi i trajnerit për sulmuesin shqiptar ka ndryshuar:

“Unë mendoj se Broja ka shpejtësi në lojën një kundër një, pasim dhe gjuajtje shumë të mirë kur është e nevojshme. Ai është një kërcënim për çdo mbrojtje kundërshtare, padyshim e ndihmon shumë skuadrën tonë. Ne e pamë dy herë Armando Brojën duke startuar dhe dy herë shënoi. Ai na jep disa cilësi që nuk i kishim deri më tani, jam shumë i lumtur që e kam në dispozicion”.

Southampton loan man Armando Broja secures huge win for Albania

Nëse Broja mund të arrijë një numër dyshifror të golave ​​dhe të fitojë minuta të rregullta në bregun jugor të Anglisë, ai mund të kthehet te Chelsea verën e ardhshme. Është gjithashtu e mundur që blutë ta tërheqin më shpejt; sepse ekziston një klauzolë për këtë, duke nisur qysh në janar.

Megjithatë, ashpërsia e trajnerit Hasenhuttl mund të jetë pikërisht ajo që Brojës i duhet për të arritur ambiciet e tij të larta. Natyrisht, shqiptari beson se mund të luajë futboll në ekipin e parë të klubit të fëmijërisë, Chelsea, në të ardhmen dhe kjo është arsyeja pse nënshkroi kontratë të re 5-vjeçare gjatë verës.

Duke folur për “Goal”, Broja pranoi se ambicia e tij ishte të bëhej Didier Drogba i ri: "Unë do të përpiqem ta kaloj Drogba. Mund të mos jetë e lehtë, por ky është mentaliteti im”.

Nuk do të jetë e lehtë, por Broja ka bërë gjithçka siç duhet deri më tani. Fatkeqësisht, nuk u përball dot me Chelsea mbrëmë për shkak të kushteve të marrëveshjes së tij të huazimit, por Tuchel duhet ta ketë pyetur kolegun e Southampton se si po përparon një nga xhevahirët e akademisë blu.